Këngëtarja shumë e dashur për publikun Fatmira Breçani ishte e ftuar në emisionin “Glamour Zone” në RTV ORA, ku gjatë intervistës rrëfeu një histori shumë interesante. E pyetur se cila është kërkesa më e çmendur që i kanë bërë ndonjëherë, Fatmira tregoi se dikur një familje tropojane që jetonte në SHBA dëshironte që ajo t’i këndonte në dasmë, por këngëtarja nuk i pëlqen udhëtimet e largëta.
Kështu ajo për të mos i refuzuar i kërkoi një shumë të madhe parash që ata të mos pranonin. Por Fatmira nuk e priste që në fakt do ndodhte e kundërta. “Ishte një familje tropojane që jetonte në Teksas dhe dëshironte të këndoja unë në dasmën që organizonin.
Por mua s’më pëlqejnë shumë udhëtimet e largëta dhe u përpoqa t’i evitoja duke i thënë se kërkoja një shumë të madhe parash që ata të mos pranonin. Vajza më tha se do të fliste me babain dhe do të më kthente përgjigje. Nuk e prisja, por ata pranuan”, tregoi Fatmira.
I kërkove më tepër se 50 mijë dollarë? Fatmira: Joo, janë shumë, kërkova më pak. Në ate moment u ndjeva keq sepse thash: ‘Zot, hyra në gjynah se nuk ia di mundësitë.’ U nisa me bashkëshortin drejt Amerikes, dhe pamë që ata ishin shumë të pasur. Dasma shkoi shumë mirë, ata ishin shumë të respektueshëm, edhe fitimet e dasmës i mora unë.
Kur na përcolli babai në aeroport, na dha zarfin me paratë e premtuara por unë dhe bashkëshorti ia kthyem, i treguam dhe arsyen pse kërkova aq. Por ai nuk pranoi. Sot kemi marrëdhënie shumë të mira familjare, dhe flasim shpesh. Por ka qenë rast i çuditshëm.