Të gjitha vendet e Bashkimit Evropian kanë vendosur që të tërhiqen nga plani për sanksione ndaj Rusisë, në fushën e energjisë, naftës dhe gazit rus. Fillimisht sot këtë e njoftoi Gjermania, por në të vërtetë vendimi ishte në unison nga e gjithë BE.
Lidhur me këtë, ka reaguar mbrëmjen e së hënës qeveria ukrainase, raporton noa.al duke cituar agjencinë ukrainase të lajmeve Interfax.
“Vendet evropiane nuk do të vendosin një embargo ndaj naftës dhe gazit rus”, tha ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.
“Do të ketë embargo. Por deri më tani pa evropianët. Evropianët nuk kanë gjetur një alternativë,” tha Kuleba drejtpërdrejt në Facebook të hënën.
Ai shtoi se Ukraina do të monitorojë nga afër nëse Evropa po kërkon me të vërtetë një alternativë ndaj gazit dhe naftës ruse.
“Ne do të shikojmë nga afër tani. Nëse shohim se ata me të vërtetë po kërkojnë një alternativë ndaj gazit dhe naftës ruse dhe kjo kërkon kohë, do ta trajtojmë çështjen me mirëkuptim. Por nëse shohim se ata janë thjesht duke u justifikuar dhe në fakt nuk planifikohen zëvendësime, atëherë do të kemi problem serioz në planin diplomatik”, ka paralajmëruar Kuleba.
Në të njëjtën kohë, ministri theksoi se së shpejti do të ketë lajme pozitive nga Shtetet e Bashkuara për vendosjen e embargos së naftës.
“Sa i përket Shteteve të Bashkuara, së shpejti do të ketë lajme pozitive nga Amerika për embargon e naftës”, tha Kuleba. /noa.al