Përballje italo-gjermane dhe italo-spanjolle spikasin në 1/8 finale të Ligës së Europës. Shorti për këtë raund u hodh sot në Nyon të Zvocrës. Ndërkohë, Manchester United, që eliminoi mbrëmë Barcelonën nga ky kompeticion, do të sfidojë Betis Sevilla, skuadër e La Liga-s, në turin vijues të “Europa League”.
Italia përfaqësohet me dy skuadra në këtë garë në vijim, konkretisht me Romën, që eliminoi Salzburgun dje, dhe Juventusin që likujdoi Nantes falë një “hat-trick” të madh të Di Maria. Ndeshjet e para të këtij raundi janë planifikuar për më 9 mars, ndërsa ato të kthimit më 16 mars. Më poshtë keni pamjen e plotë të çifteve 1/8 finale të Ligës së Europës, edicioni 2022-2023:
Shakhtar Donetsk-Feyenoord
Roma-Real Sociedad
Manchester United-Betis Sevilla
Sporting Lisbona-Arsenal
Bayer Leverkusen-Ferencvaros
Juventus-Freiburg
Sevilla-Fenerbahçe
Union Berlino-Union SG
Finalja do të luhet në Budapest
“Puskás Arena” në Budapest (stadiumi me kapacitet mbi 65.000 tifozë) do të presë finalen e “Europa League”, të planifikuar më 31 maj. Fituesi i kompeticionit do të ketë të sigurt një vend në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve 2023-2024, nëse nuk kualifikohet përmes një gare vendase, dhe do të vendoset në shortin përkatës.
“Europa League”, dominon Sevilla
Nga 16 skuadrat në garë për këtë titull, 6 prej tyre e kanë ngritur trofeun, duke marrë parasysh edhe Kupën e vjetër UEFA. Dominon Sevilla me 6 trofe të fituar në Ligën e Europës, herën e fundit në vitin 2020. Juventusi vijon me 3 trofe dhe Feyenoord 2 trofe. Nga një herë e kanë fituar Ligën e Europës edhe për Bayer Leverkusen, Manchester United e Shakhtar Donetsk.
“Europa League”, mallkimi i Italisë
Asnjë ekip italian nuk e ka fituar ndonjëherë kompeticionin në fjalë, që kur quhet “Europa League”. I vetmi që iu afrua ishte Interi në vitin 2020, i mundur në finale nga Sevilla. Suksesi i fundit i një skuadre italiane në këtë turne daton në vitin 1999, kur Parma e drejtuar nga Alberto Malesani fitoi finalen kundër Marseille 3-0 në Moskë.