Escobar i prerë: Asnjë person ‘non grata’ s’mund të jetë fytyra e PD apo e ndonjë partie tjetër! Mesazh për Metën dhe LSI në të ardhmen?

i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar është treguar i prerë sot teksa tha se një person i shpallur ‘non grata’ nuk mund të drejtojë asnjë parti politike. E teksa dha kështu një mesazh të qartë për Berishën, mund të jetë ky edhe një paralajmërim për Metën që synon rikthimin në krye të LSI?

Ndërsa Berisha vijon luftën e tij për të marrë drejtimin e PD, si dhe synon të futet në zgjedhjet e 6 marsit SHBA i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar thekson se një person i shpallur non grata për korrupsion nuk mund të jetë fytyra e PD.

Madje Eskobar shkon më tej duke thënë se asnjë person non grata nuk mund të drejtojë asnjë parti tjetër. Të jetë ky një mesazh për Ilir Metën i cili ka deklaruar se do të rimarrë drejtimin e LSI-së, pasi t’i mbarojë mandati i Presidentit (nëse nuk shkarkohet deri atëherë)? Kohët e fundit presidenti Ilir Meta është përfshirë në sulme të ashpra kundër SHBA.

“Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie.

Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale”, ka thënë ai në një intervistë për reporteri.net.

Author: morevesh