Zbulimi se kryebashkiaku Erion Veliaj mban 20 këshilltarë të cilët paguhen me mbi 200 mijë euro në vit, qe një lajm që qarkulloi thuajse në të gjitha portalet pasi u zbulua lista e pagave të Janarit. Vëmëndjen e mori menjëherë Monika Lubonja, aktorja që së fundmi i është bashkuar Big Brother Vip dhe prej disa muajsh është mbyllur në reality show-n më të famshëm në vend. Pikërisht këtë e përmendi dje edhe gazetari Artan Hoxha gjatë një interviste që dha në ABC.
“Unë them bravo i qoftë atij që na nxori ca fenomene, duke filluar që tek sektori jonë i medias. Ne kemi parë sa keq paguhet administrata shqiptar, mbi 300 mijë shqiptarë marrin një rrugë qesharake dhe të tjerët marrin paratë e tyre.
Ne mësuam sesi pushteti e kontrollon median. Se kush janë njerëzit i shërbejnë pushtetit. Një nga këshilltarët që paguhet me taksat tona ka tre muaj që është në Big Brother. Ne na ka rënë shteti. Shteti virtual që donte të bënte Rama është i shpartalluar. SPAK duhet të merret me korrupsionin e lartë. Patronazhistët duhet të ishin hetuar. Askush nuk do të mbajë përgjegjësi”, u shpreh gazetari.
Por Veliaj i është përgjigjur gazetarit me të cilin është futur në një konflikt flakë për flakë. Gjatë një takimi me gratë dhe vajzat e Bashkisë, Veliaj e ka akuzuar Artan Hoxhën se paguhet nga bandat dhe është gjobaxhi.
“Dëgjova një idiotësi për këshilltarët e bashkisë. Tre prej tyre, vajza të shkëlqyera, paguhen nga Fondi Shqiptaro-Amerikan, por për çështje formaliteti duhet të vijë borderoja në bashki, që pastaj të marrin rrogën. Ato janë gra të shkëlqyera që kanë bërë qendra si “TUMO”, po mësojnë mijëra fëmijë se si të kodojnë, janë gra të shkëlqyera si ato që kanë bërë Agjencinë tonë të Rinisë. E filluan si këshilltare të paguara nga amerikanët, që i kalojnë në bordero të bashkisë, por sot kanë bërë gjërat më të bukura në këtë qytet. Unë jo vetëm që nuk e kam kompleks e nuk i fshihem kësaj, por jam super krenar për gocat tona. Këto gra i përgojojnë disa burra që paguhen si analistë 500 mijë lekë të vjetra, por të gjithë e dimë që janë gënjeshtarë, të gjithë e dimë që punojnë në të zezë dhe që paguhen nga lloj-lloj bandash e që vënë gjoba”, tha Veliaj.
Është e qartë se me gjuhën e ofendimeve dhe të sharjeve ndaj gazetarëve, kryebashkiaku shmang përgjigjet për skandalet që e akuzojnë. Përse i duhet një numër kaq i madh këshilltarësh bashkiakë, ndërkohë që vazhdimisht ka rritur taksat për banorët e kryeqytetit? Përse i mori kompetencat e Këshillit Bashkiak në dhënien e përgjigjes për inceneratorët? Dhe së fundmi, si i ka paguar ato pronarë mediash që përdhosin çdo ditë gazetarët e tyre duke transmetuar materialet e gatshme që përgatiten në zyrat e bashkisë, meqënëse marrëdhënien që ka krijuar me median, Veliaj e sheh gjithnjë me syrin e tregtarit?