Nga Andi Bushati
Me njerëzit e futbollit po përsëritet e njëjta fabul si me aktorët e teatrit. Pushteti autokratik i Edi Ramës ka vendosur të rrëmbejë edhe “ishullin e fundit” jashtë kontrollit dhe për këtë qëllim po përdor ushtarin e tij të punëve të pista, Erion Veliajn.
Tashmë provat janë të plota, me bashkinë, tatimet, prokurorinë dhe mediat e paguara shteti është bërë njësh për të ndërhyrë në zgjedhjet e 2 marsit ku votohet presidenti i FSHF-së.
Përgjimi neveritës, me fjalorin banal të një njeriu që i sheh qytetarët si kavie që shiten e blien, ose në të kundërtën shantazhohen, përbën vetëm anën banale të këtij projekti politik. Në këtë fabul Veliaj është lakeu injorant i sundimtarit, servili që për një plesht është i gatshëm të djegë gjithë jorganin, kamikazi që për të zbatuar urdhërin nuk heziton të lërë gjurmë në krim.
Veliaj e ka thënë me gojën e tij se pushteti nuk ndihet më zot shtëpie pa kontrolluar edhe dhomën e vet të fundit dhe për këtë atij nuk ia bën syri tërr
të sfidojë jo vetëm FIFA-n dhe UEFA-n, por edhe Krishtin dhe Muahmetin.
Thelbi i kësaj fabule është i thjeshtë, asgjesimi i çdo lloj hapsire, të mirë apo të keqe, të virtytshme apo të përdalë, të ndershme apo aspak të tillë, që ka mbetur jashtë suazës së regjimit.
Në këtë pikë ajo që po ndodh me komunitetin e futbollit është seria e dytë e po atij filmi që pamë me teatrin.
Në të dyja rastet urdhri vjen nga Rama. Ishte ai që e pati shpallur shembjen e godinës që në fillim të viteve 2000. Ishte po ai që u zemërua keq nga anëmarrja e Armado Dukës në betejën elektorale të 25 prillit.
Por, ngjashmëritë nuk përfundojnë këtu. Edhe teknologjia propagandistike është e njëjtë. Atëherë flitjej për ish aktorët e mykur të konostudios, për njerëz të prampambetur që nuk e kuptonin të renë, për pazarxhinj që paguheshin me para publike, pa luajtur prej vitesh asnjë rol.
Tani radha është kundra Dukës, beut të Shijakut që ka privatizuar për katër mandate federatën, biznesmenit që bën pazar më kombëtaren, bastexhiut që vë në rulet fanellën kuq e zi.
Natyrisht, përtej zhurmës shurdhuese, ku ushton zëri i mediave që mëkohen nga Veliaj, Armando Duka nuk është një shenjt. Ai e kontrollon me dorë të hekurt dhe me mënyra anti demokratike FSHF-në. Ai pothuajse i ka asgjesuar zgjedhjet brenda saj.
Por, këtu është naive të besosh se çështja qëndron në mbarvajtjen demokratike të FSHF-së dhe në përdorimin e fondeve prej saj. Në këtë kurth bien të gjithë “idiotët e dobishëm”, që mbulonin vjedhjen tek unaza e re, me shtëpitë e ndërtuara pa leje të të zbriturve nga veriu; që përpara kullave 200 milionështe të Fushës, shikonin rekuizitën e lodhur të teatrit; që rrjedhjen lumë të eurove për inceneratorët i justifikojnë me kazanët e dyndur me plehëra.
Në fakt, realiteti është më i thjeshtë: as ligjërisht apo as moralisht, një pushtet i koruptuar nuk mund ti japë leksion asnjë segmenti tjetër të shoqërisë, sado në gjendje të vajtueshme qoftë ai.
Pikërisht se njeh këtë të vërtetë, pikërisht se është i ndërgjegjshëm për këtë mungesë besueshmërie, Edi Rama e ka kuptuar se opinioni e miraton me vështirësi pushtimin e “ishujve të mbetur jashtë kontrollit”. Dhe nga që di këtë ai ka përdorur mashën e zakonshme, Erion Veliaj, për të zaptuar FSHF-në.
Dhe njësoj si tek teatri, njësoj si tek inceneratorët apo lejet e ndërtimit në Tiranë, kryebashkiaku ka pranuar të kryejë punët e pista me frikën dhe tmerrin se mos nuk i jepet e drejta e kandidimit për mandatin e radhës.
Natyrisht, ai ka vepruar ashtu siç di ta bëjë ai: me arrogancë naive, me servilizëm të pa kamufluar, me budallallaëk që lë gjurmë, duke dëshmuar edhe njëherë, se di të jetë një shëbëtor i zellshëm, por jo një mburojë për padronin e tij.
Prandaj, të gjithë ata që dëgjuan përgjimin e shpifur të Erionit-, i cili mburej me koqet e tij të hekurta- ndonëse zëri qe u mbërriti në vesh qe ai i kllounit, përpara iu shfaq fytyra e Edit. Askush nuk ka më dyshim se arkitetkti i stadiumit me kullë do të rrëmbejë edhe terenet e futbollit.