Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në zyrën e tij ekipin Olimpik që do të na përfaqësojë në lojërat dimërore në Pekin.
Duke e lidhur situatën me debatin aktual me FSHF-në, Veliaj rikujtoi se Komiteti Olimpik Shqiptar më parë ishte i mbyllur, nuk pranoheshin të rinjtë dhe nuk lejohej bashkëpunimi, kurse sot, pas hapjes së tij, gjërat kanë ndryshuar.
“Më kujtohen zënkat me karrige kokës të Komunitetit Olimpik. Edhe peshëngritja ishte kthyer në një bunker. Por, Ja ku jemi sot! Një betejë që duket e pamundur, kur mobilizohet shoqëria, situata zhbllokohet. Tani kemi një Komunitet Olimpik të hapur, që financon dhe financohet, pra arrin të mbledhë financa edhe nga qeveria, edhe bashkitë. Kemi një Bashki që është vënë e gjitha në dispozicion të sportistëve, ndaj ky debati i fundit për futbollin nuk është vetëm debati im personal, si aksioner i FK Tiranës, apo si financues kryesor i sportit në Tiranë me terrene sportive, por është edhe një debat i shoqërisë sonë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se edhe beteja e sotme me Federatën Shqiptare të Futbollit po bëhet pikërisht që talentet në futboll, ashtu sikurse skiatori i talentuar 18 vjeçar, Deni Hoxha, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Lojërat e Dimërore, të kenë mundësi të shkëlqejnë.
“Është e provuar se kur hapet loja, kur zhbllokohen bunkerët, kur ka ‘fair play’, kur ti e di kush janë delegatët që të votojnë, kemi talente të reja si Deni – të cilit nuk i ka thënë njeri ‘paguaj 100 mijë euro që të jesh pjesë e ekipit Olimpik’ – kjo nuk duhet të ndodhë as në futboll. Nëse kemi të rinj si Deni, që duan të luajnë futboll dhe janë më të mirët, duhet t’u jepet shansi që ta veshin fanellën kuq e zi pa kaluar nëpër këto shëmtitë banale që i dëgjojmë prej 20 vitesh. Shembulli i Komunitetit Olimpik Shqiptar është në fakt shembulli ideal se çfarë ndodh kur ka energji pozitive, kur hapet loja, kur ka ‘fair play’, kur ka garë, kur fiton më i miri, kur çdo gjë është transparente dhe kur të rinjve, jo vetëm që nuk u kërkohet të paguajnë haraçin, por përkundrazi, çfarë mund të bëjmë ne që të shkëlqesh ti, sepse kur shkëlqen ti shkëlqen gjithë shoqëria dhe e gjithë Shqipëria është më e mirë”, tha Veliaj.
Presidenti i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, falenderoi kreun e Bashkisë për mbështetjen e veçantë që i jep sportit.
“Si President i Komitetit Olimpik jam shumë i kënaqur që Shqipëria do të marrë pjesë në Lojërat Dimërore. Federata e Skive dhe veçanërisht Presidenti, bashkë me sekretarin, kanë bërë një punë të jashtëzakonshme në Alpet e Italisë, duke ngritur ekipin shqiptar. Falënderoj kryetarin e Bashkisë që, edhe në këtë rast i rri pranë sportit, elitës së sportit shqiptar jo vetëm ekipeve verore, por edhe ekipet dimërore si ky, që një 18-vjeçar do të përfaqësojë me dinjitet Shqipërinë në lojërat e Pekinit 2022”, përfundoi Ylli.