Me nisjen e fushatës më të madhe të vaksinimit në historinë e vendit, në spitalet e Mbretërisë së Bashkuar, u përjetuan duartrokitje, lot dhe emocione të forta.
Ditën e sotme, mijëra të moshuar përveshën mëngët duke marrë injektimin e dozës së parë të vaksinës së zhvilluar nga Pfizer dhe BioNTech.
Pacientja e parë ishte Margaret Keenan, e cila mbush plot 91-vjeç për pak ditë. Për të, vaksinimi ndaj Covid-19 ishte si një dhuratë e parakohshme.
Ajo festoi këtë ditë, të cilësuar si “V-Day” me traditë britanike, duke shijuar një filxhan çaji të ngrohtë.
Personi i dytë që u vaksinua ishte një emër mjaft i njohur, William Shakespeare, 81 vjeç, i cili ndan të njëjtën vendlindje me shkrimtarin e njohur britanik, Warwickshire.
“E jashtëzkonshme, mendoj. Mund të sjellë ndryshim në jetët tona nga tani e tutje, apo jo?”, u shpreh ai.
Sytë e të gjithë botës ishin drejtuar nga Mbretëria e Bashkuar për të parë atë që po cilësohet si fillimi i fundit të kësaj pandemie, që i ka lodhur të gjithë. Një përjetim të veçantë për fushatën e imunizimit ndaj koronavirusit, pati dhe ministri i shëndetësisë, i cili nuk i përmbajti lotët.
“Ka qenë një vit kaq i vështirë për kaq shumë njerëz dhe atje është William Shakespeare duke e thënë thjesht për të gjithë që mund të vazhdojmë me jetët tona.”, tha Matt Hancock.
Veteranë të luftës së dytë botërore dhe shumë të moshuar të tjerë, u bënë pjesë e fushatës së vaksinimit, në valën e parë që do të mbulojë kryesisht personat mbi 80 vjeç dhe anëtarët e personelit shëndetësorë.
Mbretëria e Bashkuar ka hapur rreth 70 qëndra imunizimi në të gjithë territorin dhe është vendi I parë në botë që aprovoi përdorimin emergjent të vaksinës së Pfizer dhe BioNTech, javën e kaluar. Qeveria ka marrë 800 mijë dozat e para, ndërsa ka bërë me dije se vaksinimi nuk është I detyrueshëm.