Elon Musk është ofruar të shesë disa nga aksionet e tij në “Tesla” në këtë moment nëse OKB i provon se një shifër prej 6 miliardë dollarësh do të zgjidhte problemin urisë në botë.Komentet e tij erdhën pasi drejtori i Programit Botëror të Ushqimit të OKB, David Beasley sfidoi të miliarderët, veçanërisht dy njerëzit më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk, që të ndihmojnë në zgjidhjen e kësaj çështje.
“6 miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të vdesin urie nëse nuk i ndihmojmë. S’është e komplikuar”, tha Beasley për CNN. Kjo shifër është e barabartë me afërsisht 2% të pasurisë neto të Musk.
Në një postim në Tëitter, shefi ekzekutiv i Tesla shkroi: “Nëse WFP mund të na sqarojë në Tëitter se si 6 miliardë dollarë do të zgjidhin çështjen e urisë në botë, unë do të shes aksionet e Tesla-s tani dhe do ta bëj. Duhet të jetë çdo gjë publike, në mënyrë që njerëzit të shohin saktësisht se si do të shpenzohen paratë.”
Beasley iu përgjigj postimit të Musk, duke thënë se ai mund ta siguronte miliarderin se WFP ka sistemet e duhura për transparence të shpenzimit të donacionit.
“Ekipi yt mund të punojë me ne për të qenë plotësisht të sigurtë. 6 miliardë dollarë s’do zgjidhin urinë në botë por do të parandalojë paqëndrueshmërinë gjeopolitike, migrimin masiv dhe do të shpëtojnë 42 milionë njerëz në prag të urisë. Një krizë e paprecedentë dhe një stuhi e përsosur për shkak të Covid/konflikteve/krizës klimatike,” shtoi ai.
Duke iu drejtuar miliarderëve drejtpërdrejt në intervistën për CNN, Beasley tha: “Po sikur vajza juaj të vdiste nga uria? Po sikur të ishte familja juaj duke vdekur nga uria? Vetëm zgjohuni dhe ndihmoni.”
Pasuria neto e Musk vlerësohet 311 miliardë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloomberg, duke e bërë atë njeriun më të pasur në botë.
Pasuria neto e miliarderëve amerikanë pothuajse është dyfishuar që nga fillimi i pandemisë.
Javën e kaluar, Tesla u shpall kompania e 6-të në historinë e SHBA-së me vlerë 1 trilion dollarë dhe e dyta që e arrin me shpejtësinë më të lartë pas Facebook.