Mariglen Përgjini është ekstraduar nga Brukseli drejt vendit tonë pasi ishte në kërkim ndërkombëtar për vrasje.
Njoftimi i plotë
Vijon bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht. Falë shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve, janë kapur në Bruksel dhe në Greqi, si dhe janë ekstraduar drejt Shqipërisë, 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
-Specialistët e Interpol Tiranës ekstraduan nga Brukseli, drejt Shqipërisë, shtetasin Mariglen Përgjini. Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas, me 18 vjet burgim për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”, kryer më shumë se një herë.
Gjithashtu, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat e ka dënuar shtetasin Mariglen Përgjini me 3 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dënim i cili është konvertuar më pas në shërbim prove. Gjithashtu po si rezultat i shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Athinës, u bë kapja dhe ekstradimi nga Greqia drejt Shqipërisë, i shtetasit të kërkuar Eraldo Memaj, banues në Pukë.
Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar këtë shtetas me 11 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit luftarak”.
Ky shtetas në vitin 2013, në Pukë, për motive të dobëta ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin P. V. Interpol Tirana vijon shkëmbimin e informacionit dhe bashkëpunimin me homologët, me qëllim kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.