Eksperiencat përvëluese në punë dhe dashuri të Einxhel Shkirës para hyrjes në BBVIP

Prezantuesja Einxhel Shkira duket se pas thyerjes së krahut po “thyen” edhe rrjetin me denoncimet e saj publike për marrëdhëniet problematike e deri shkatërruese të punës me disa producentë e televizione, që s’i përfundim, sipas vetë asaj, as nuk e kanë paguar.

Gjithçka nisi kur Einxhel dhe Donald Veshaj debatuan me njëri-tjetrin gjatë spektaklit të para disa ditëve, për karrierën e secilit e bashkëpunimin mes tyre te show “Binjakët”.

Einxhel tha se Donaldi dhe vëllai i tij Romeo nuk e kishin paguar për punën që kishte bërë me “Vizion Plus”. Pastaj tregoi edhe për “RTV Ora”, që sipas saj nuk e kishte paguar, por televizioni doli me një deklaratë ku mohonte sa ishte thënë nga banorja e BBV, duke dyshuar se ndoshta Einxhel kishte ngatërruar emër televizioni në rrëfimin e saj.

Por në ditët në vazhdim, Einxhel (e cila është komentuar jo pak për largimet e shpeshta në mes sezoni televiziv nga formatet ku është bërë pjesë), ka treguar histori të tjera në lidhje me situatën televizive dhe karrierën e saj në televizion.

Ajo për Ilirin Shaqirin e Monika Lubonjën rrëfeu një histori pikante me bashkëproducentet, Vera Grabocka e Alketa Vejsiu.

“Kisha vetëm një vit në televizion. Vera dhe Alketa më thirrën për një projekt. Vetëm një vit kisha. Bëra prova dy javë me ta dhe më pas erdhi Bora (për Bora Zemanin). E kishin përzgjedhur, ishte më e njohur se unë në atë periudhë. Unë kisha shkëputje nga televizioni. Ishte më e njohur dhe e morën”, tha Einxhel duke treguar se edhe në këtë rast nuk ishte paguar.

E ndërkohë që banorët VIP kanë hyrë në ethet e finales, duket se Einxhel e tërhoqi jo pak vëmendjen duke folur për çështje pagash, që është po ashtu një temë që tërheq mjaft vëmendjen e publikut.

Edhe pse audienca është ndarë në grupe, një palë që mendon se bëri mirë që nxori sekrete nga marrëdhëniet e saj të punës dhe pala tjetër që mendojnë se bëri gabim, në fund të fundit ajo vëmendjen e tërhoqi drejt vetes.

TË GJITHA LARGIMET NGA PUNA TË EINXHEL

Por cilat kanë qenë eksperiencat e saj të njëpasnjëshme të hidhura me bashkëpunëtorët apo eprorët, përvojë që e bëri të zhgënjehej nga bota e televizionit dhe të linte Shqipërinë për të nisur jetë të re në Afrikë?

Një nga vajzat më të komentuara të ekranit, Einxhel Shkira, u zhvendos vitin e kaluar drejt Afrikës, dhe më pas tregoi se po nis një jetë të re larg pakënaqësive profesionale, që i përjetoi në Shqipëri në botën e televizionit. Ajo tregoi se në Shqipëri nuk e mbante më asgjë dhe se është një shpirt i lirë.

E cilat janë disa nga largimet e saj të bujshme nga programet ku punonte? Einxhel u largua nga rubrika “Beauty” në “E diell” vetëm një javë pas fillimit të sezonit, duke pranuar se nuk e gjente fare veten në atë format. Prej kohësh ishte pjesë e “Top Channel” në emisionin e së dielës, eksperiencë që e nisi më parë, sezon ku bëri vërtet bujë dhe pati shumë sukses.

Me sa duket, Einxhelit iu caktua një rubrikë që s’i përshtatej dhe moderatorja vendosi ta linte emisionin në mes. Në një prononcim Einxhel u shpreh: “Të jem e sinqertë, që javën e parë të transmetimit të sezonit të ri të ‘E diell’ nuk po e gjeja veten në rolin që më ishte caktuar si prezantuese e rubrikës ‘Beauty’. Unë besoj që secila prej nesh në atë program është zgjedhur të jetë aty për diçka autentike që ajo ofron dhe në këtë sezon, për shkak të një ndryshimi strukture dhe koncepti të ri autorial, po ndieja se po humbja atë çfarë unë mendoj që më karakterizon dhe më dallon: spontanitetin dhe natyralitetin. Unë ruaj respektin më të madh për producentin e ‘E diell’, Edi Manushin, i cili besoi tek unë dhe më bëri pjesë të kësaj aventure shumë të bukur, pa harruar edhe stafin me të cilin kam bashkëpunuar”.

E pyetur nga “Panorama Plus” në atë kohë nëse kishte pasur ndonjë arsye tjetër, ajo sqaroi: “Thjesht s’isha rehat dhe e lashë, por s’është se jam mërzitur apo kam bërë debat”.

Më pas u largua dhe nga formati “Binjakët show” dhe nga një emission sportive në një tjetër televizion. Kujtojmë që në “Top Channel”, Einxhel nisi punë pas largimeve të bujshme nga televizioni “In” dhe “Dance with me”. Moderatorja u largua për disa kohë nga bota e ekranit, për t’u rikthyer sërish me “E diell”.

E ftuar në emisionin “Late Night Show”, ajo zbuloi pak kohë më parë edhe arsyen pse vendosi të tërhiqej për pak kohë: “Nuk më kanë hequr nga puna. Arsyeja pse u largova është se njeriu ka disa ambicie personale, i kërkon te vetja. Kur ti e shikon që je ngopur me ato gjëra dhe nuk të shijojnë më, thjesht ke dëshirën ta lësh fare. Thua më mirë rri pa ngrënë sesa ha këtë gjënë që më është velur, mërzitur.”

Pyetjes së Kastro Zizos nëse ka bërë kompromise për të arritur këtu ku është, Einxhel iu përgjigj: “Jo, ndoshta ky është edhe gabimi (qesh). E kam një tip të caktuar se si më pëlqen mashkulli në kokë dhe nuk komprometohem lehtë, aq më pak për një post pune. Po të komprometohesha, do isha në një avion privat, jo duke dhënë intervistë në këtë orë”.

EINXHEL DHE ZHGËNJIMI NGA BEKIM BALAJ, SI MORI FUND ROMANCA PASI HYRI NË MES NJË TJETËR PREZANTUESE

Por marrëdhëniet e saj nuk kanë qenë problematike me eprorët e bashkëpunëtorët, pasi edhe në çështjet e zemrës ajo ka donimuar me karakterin e fortë që ka, duke krijuar konflikt pas ndarjes, aq më tepër kur mediat ndërkombëtare e etiketuan si “gruan” e tij.

Ishte qershor i vitit 2016-të, kur mediat franceze, publikuan lajmin “Bekim Balaj i martuar me Einxhel Shkirën”. Pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, një nga portalet franceze ishte angazhuar të gjejë gruan më të bukur të futbollistëve.

Fituese u shpallur Einxhel Shkira, e cila dikur kishte qenë në një lidhje me futbollistin, por në momentin e publikmit të sondazhit i kishte dhënë fund historisë.

“Futbollisti kaq i ri, Bekim Balaj, pavarësisht pamjes së tij rinore, është i martuar me një prej femrave më të ‘nxehta’ të vendit të tij, me modelen Einxhel Shkira”, shkruante portali “Non stop people”, duke vijuar me faktin që brunia ‘vullkanike’ poston foto gjithmonë e më e zhveshur.

E, në fakt, për sa u përket çështjeve të dashurisë, emri i saj gjithmonë lakohet pranë atij të futbollistit të Kombëtares, Bekim Balaj, me të cilin thuhet se ajo ka pasur një histori dashurie e që më pas përfundoi keq, pasi Balaj u lidh me moderatoren kosovare Elita Rudi, e cila më pas u martua me reperin Gjiko.

Por duke qenë se ndarja e Einxhel me të kishte qenë konfliktuale, gazetarët dëshironin të mësonin më shumë, ndaj s’e linin rehat Einxhel.

Ngacmuar nga gazetari i “Thumb” lidhur me emrin e Bekim Balaj, ajo bëri një reagim shumë të çuditshëm. “Bekim Balaj? Nuk e njoh”, tha ajo në mënyrë injoruese.

Por injorimi kaloi dhe sulm nga Einxhel për sulmuesin e Kombëtares Shqiptare. Moderatorja foli në një intervistë rreth lidhjes së saj me bomberin shkodran, duke e quajtur atë thjesht një “fans” të sajin.

Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer aspak Balajt, i cili reagoi menjëherë për “Panorama Sport”, duke u përgjigjur me të njëjtën monedhë: “Einxhel, kush është kjo? Nuk e njoh?”.

Në fakt, Balaj e njihte shumë mirë moderatoren seksi, pasi një vit para se të shprehej në këtë mënyrë ishte përfolur se të dy së bashku kaluan disa net relaksi në Xhamajka. Edhe konflikti nisi gjatë këtyre pushimeve, pasi sipas burimeve u tha se Balaj nuk i kishte kushtuar vëmendjen e duhur Einxhel gjatë pushimeve.

Mirëpo, ironitë mes tyre në media nuk u ndalën me kaq, pasi Einxhel tregoi bisedën private me Balajn pas polemikave.

“Pas intervistës sime kontaktuam në privat dhe më tha pse e ke bërë diçka të tillë, unë s’kam bërë, as nuk kam thënë asgjë. Fill pas bisedës sonë në privat, ai ka bërë dhe deklaratën e tij në media. Nuk e di pse duket aq i lënduar, por kuptohet që po gënjen”, tha Einxhel.

Ndërsa më tej ajo e ironizoi përsëri futbollistin duke thënë, “Shpresoj të mos i rritet hunda si e Pinokut, se do t’i duhet ta rregullojë prapë pastaj”.

Kjo shprehje kishte disa nënkuptime, pasi Bekimi bëri ndërhyrje në hundë pasi u nda nga Einxhel dhe gjatë pushimeve me Elitën postoi foton pas ndërhyrjes ku shfaqej me fashën në hundë.

Ndërkohë, sa i përket jetës intime, Einxhel u lidh në BB me Dj Dagz nga Kosova, për të cilin u shpreh se është i duhuri pasi deri më tani kishte qenë në kërkim të tipave të gabuar të djemve. Ajo vetë e shprehu se në dashuri, ashtu si në punë, ka përfunduar shpesh e lënduar, duke mos marrë atë që ka merituar.

Author: morevesh