Kryeministri Rama pritet të dalë në orën 15:00 para shqiptarëve për të dhënë detaje në lidhje me paketën e ndihmës pas shtrenjtimit të çmimeve. Më herët, kryeministri tha se e kishin gati këtë paketë.
“Kryeministria – Paketa e Rezistencës Sociale ndaj pasojave të krizës globale energjetike si edhe të luftës në Ukrainë mbi çmimet po merr formë përfundimtare“, shkruante Rama mëngjesin e sotëm në Facebook.
Qytetarët protestuan sot para Kryeministrisë në Tiranë si edhe në qytete të tjera të vendit kundër rritjes së çmimeve. Kjo është dita e katërt e protestave, ndërkohë që gjatë tre ditëve të para është bërë e mundur ulja deri diku e çmimit të karburanteve. Krahas këtyre të fundit Shqipëria po përballet me shtrenjtim të çmimit të ushqimeve.
Ndërkohë, Bordi i Menaxhimit ka vendosur sot që çmimi i naftës dhe benzinës të jetë 217 lekë/ litri deri në 15 mars, ndërsa gazi 93 lekë/ litri.
Ky është një çmim relativisht më i ulët krahasuaar me atë të disa ditëve më parë, megjithatë duket të jetë larg atij nën 200 lekë që ishte para rritjes së madhe që pësoi para një jave.
Shpjegimi i importuesve ka qenë se çmimi u rit për shkak të shtrenjtimit në bursë duke bërë që edhe në Shqipëri një litër naftë të kërcente në pak ditë nga 195 lekë/ litri në 265 lekë/ litri.
Aktualisht, çmi i karburateve në bursë është mesatarisht 110 dollar një barrelë, ngjashëm me çmimin kur karburantet këtu ishin 190-195 lekë/ litri. Prandaj, nevojitet që çmimi të ulet edhe më tej, të paktën për të kapur të njëjtat nivele me një javë më parë.