Samiti mes presidentit amerikan Joe Biden dhe homologut të tij rus Vladimir Putin në datën 16 qershor në Gjenevë, kishte për qëllim hapjen e dialogut mes vendeve dhe adresimin e përplasjeve mes tyre, kryesisht edhe në fushën e luftës kibernetike dhe veçanërisht në Ukrainë, ku hakerat rusë nuk kanë rreshtur sulmet që prej vitit 2016.
Por, edhe pas samitit duket se esencialisht nuk ka pasur ndryshim të agresivitetit rus në fushën dixhitale. Shërbimet Shtetërore të Ukrainës për Komunikime Speciale dhe Mbrojtjen e Informacionit kanë deklaruar se përgjatë kësaj jave janë përballur me plot 50 mijë sulme kibernetike, një pjesë e të cilave janë evidentuar se kanë origjinë ruse.
“Sistemi ka qenë prej e 50 mijë e 571 sulmeve të tipeve të ndryshme, prej të cilave 17% drejtuar informacioneve sensitive shtetërore”- deklaruan autoritetet ukrainase.
Ngjarja ndodh pasi në muajin shkurt, Shërbimet Inteligjente, Ministria e Mbrojtjes dhe Këshilli i Sigurisë në Kiev u goditën nga hakerat dhe iu mor informacione “me përmbajtje sensitive”.
Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë në deklaratën për shtyp pas samitit se kishte rënë në parim dakord me Putin që të ketë ndarje të informacioneve në lidhje me sigurinë kibernetike dhe zotime ndërkombëtare për të ndalur këtë “luftë të ftohtë” që është përshkallëzuar përgjatë viteve të fundit, me rastin më famëkeq, atë të përfshirjes së Rusisë në fushatën presidenciale të vitit 2016.