Nga Elona Caslli
Rruga më e lehtë dhe më e shkurtër e mendimit është të kryqëzosh Dea Mishelin për njohuritë e cunguara që ka në fushën e historisë dhe të gjeografisë. Ta kryqëzojmë këtë vajzë dhe mbyllim historinë.
Kur isha në fakultet, në një orë seminari mes një profesori dhe një studenteje u zhvillua dialogu i mëposhtëm, pasi profesori i bëri një pyetje studentes së cilës studentja nuk dinte t’i përgjigjej.
Profesori- Kush të ka kaluar ty deri në vit të katërt?! Nuk e kuptoj.
Studentja- Ti më ke kaluar. Ti më ke dhënë mësim në vit të parë dhe më ke kaluar.
Është dialogu më kuptimplotë që ka lënë gjurmë në kujtesën time.
Lind pyetja: Një vajzë e re që pohon se ka kryer studimet me një mesatare të lartë, çfarë filtrash ka kaluar?! Sa e vërtetë është mesatarja e saj?!
Dea Mishel ka pasur mësues gjeografie dhe historie. Kush i ka dhënë mësim dhe si e ka vlerësuar?!
Pra, Dea Mishel është e vërteta që nuk duam të shohim. Prej shumë vitesh arsimi në Shqipëri është në rënie. Dallohet qartazi fenomeni i notave fiktive dhe i punësimit të mësuesve në bazë të përkatësisë partiake dhe kjo panoramë ka prodhuar dhe prodhon një studente me mesatare të lartë, që nuk ka njohuritë bazike në histori dhe në gjeografi.
Dea Mishel është plaga e kësaj shoqërie. Ajo nuk përfaqëson veç veten. Jo. Dea Mishel përfaqëson dështimin e një shoqërie që nuk i formëson dhe nuk i vlerëson si duhet të rinjtë e saj.
Para se të kryqëzoni Dea Mishelin, pyeteni veten në sa filtra mësuesish dhe në sa filtra vlerësimesh ka kaluar kjo vajzë?!
Nëse mësimdhënia do të kish qenë në nivelin e duhur dhe nëse vlerësimi do të kish qenë objektiv, do të kishim sot një studente me mesatare të lartë me formim të cunguar?! Unë besoj se jo.
Post Scriptum- Teksa opinioni vazhdon të kryqëzojë Dea Mishelin, qindra Dea Mishel janë në gjimnazet dhe në universitetet e Shqipërisë.