Këngëtarja Manjola Nallbani do të konkurronte në festivalin e fundvitit me këngën “Ora e jetës”, por artistja është tërhequr nga gara.
Shkak për këtë, është bërë gjendja shëndetësore e Manjolës, që para disa javësh u konfirmua pozitive me Covid-19.
E kontaktuar nga “Anabel .al” këngëtarja është shprehur se gjatë kohës që artistët kanë bërë prova ajo nuk ka qenë e pranishme për shkak të infektimit dhe se mori vetë vendimin të mos merrte pjesë duke qenë se festivali do të mbahet në ambient të hapur.
“Unë jam tërhequr nga Festivali, sepse gjatë kohës që bëheshin prova dhe përgatitje nga konkurrentët e tjerë, unë kam qenë me Covid. Përveç kësaj, sepse tani jam më mirë, por kryesorja [e tërheqjes nga gara është] që Festivali do të mbahet jashtë në shesh dhe unë nuk mund të rrezikoj shëndetin përsëri në një kohë që jam duke u rikuperuar dhe duhet të kem kujdes”, është shprehur Nallbani.
Manjola ka disa ditë që e ka fituar betejën me koronavirusin, që për të nuk ishte shumë e lehtë. Këngëtarja tregoi përmes një postimi në rrjete sociale para pak ditësh se kishte përjetuar shqetësime që nuk i kishte provuar kurrë më parë nga një grip i thjeshtë.