Një grua 95-vjeçare, e cila ka punuar për komandantin e një kampi përqendrimi nazist, është vënë nën akuzë në Gjermaninë veriore për ndihmë në vrasje masive.
Gruaja, e identifikuar në media si Irmgard F dhe që jeton në një azil në Pinneberg afër Hamburgut, akuzohet në lidhje me më shumë se 10,000 vrasje.
Ajo ka shërbyer si sekretare e komandantit të SS të Stutthof, një kamp brutal nazist, pranë Gdanskut të ditëve të sotme, ku rreth 65,000 të burgosur vdiqën gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Është e paqartë nëse ajo do të përballet me gjyqin, ndërkohë që roli i saj është ende duke u hetuar.
Stutthof u krijua në 1939, në atë që ishte atëherë Polonia e okupuar nga nazistët dhe rojet filluan të përdorin dhomat e gazit atje në qershor 1944. Trupat sovjetike e çliruan atë në maj 1945, ndërsa lufta po mbaronte.
Rreth 100,000 të burgosur u mbajtën në Stutthof në kushte mizore. Shumë vdiqën nga sëmundja dhe uria, disa u eliminuan me gaz helmues dhe të tjerëve iu dhanë injeksione vdekjeprurëse.
Shumë nga viktimat ishin hebrenj, por kishte edhe polakë jo hebrenj dhe ushtarë sovjetikë të kapur rob.