Dyshohet se shoqëroi edhe Brilant Martinajn/ Levizjet e Jeton Lamajt ditën e masakrës me tre të vrarë

Në kohën kur Jeton Lami synon lirinë në Gjykatën e Lartë, pasi mbahet nën arrest nën dyshimet për shpërdorim detyre, pasi shoqëronte në arrati “mbretin e lojërave” të fatit Ervis Martinaj, i zhdukur pa gjurmë prej muajsh, të tjera telashe dalin në horizont për ish-agjentin e Forcës së Posaçme Operacionale.




Prokuroria e Krujës e cila po heton për të hedhur dritë mbi atentatin e 17 korrikut te mbikalimi i Fushës-Krujës, ku mbetën viktima Brilant Martinaj, kushëri i parë me Ervis Martinaj, Dikler Vata e Besmir Hoxha, kërkon nga organi i akuzës në Kurbin të dhënat mbi lëvizjet e Lamit ditën e masakrës.

Kjo pasi ka dyshime se Jeton Lami ka shoqëruar edhe Brilant Martinaj e miqtë e tij nga një lokal në Fushë-Krujë deri në Kamëz dhe anasjelltas, ndërsa sapo është ndarë me të, të tre u ekzekutuan me 108 plumba kallashnikovi.

Zyrtarisht, prokuroria e Kurbinit tha se është duke shkëmbyer informacion me prokurorinë e Krujës, por nuk dha detaje të mëtejshme. Mësohet se prokurorët kanë kërkuar tabulatet telefonike të Lamit, që përmes tyre të konfirmojnë lëvizjet e tij, si dhe sigurojnë akses në bisedat apo mesazhet e fundit që ka shkëmbyer para dhe pas ngjarjes së rëndë.

Për masakrën te mbikalimi i Fushës-Krujës, prokuroria ka marrë dhjetëra dëshmi, mes tyre edhe kundërshtarët e Ervis Martinaj, por deri më tani nuk ka ende ndonjë të dyshuar. Jeton Lami, është njeriu që mund të hedhë dritë të paktën mbi zhdukjen e mistershme të Ervis Martinaj, të cilin e shoqëroi 5 ditë përpara se familja të humbte kontaktet me të.




Ai mund të jetë njeriu kyç për të zbardhur edhe masakrën me 3 të vrarë, por ish-agjenti ndaj të cilit rëndojnë dyshimet për “shpërdorim detyre”, ka refuzuar të flasë për hetuesit. Aktualisht, prokuroria po vijon hetimet për rolin e tij dhe pritet të bëjë një tjetër zgjatje të hetimeve./Marrë nga BW

Author: morevesh