Kohët janë të paqarta për ministrat e Ramës. Pas Lefter Kokës, në burg ra edhe Saimir Tahiri. Një pjesë thonë se drejtësia është e dirigjuar, një pjesë tjetër pretendon se prokurorët dhe gjykatësit kanë marr hov nga mbështetja e ambasadës amerikane.
Në këtë atmosferë, Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka treguar se nuk tutet dhe ka dalë vullnetar që të shkojë në prokurori për dosjen 184, ku del në përgjime duke folur me të akuzuarit për blerje votash.
Manja ka replikuar me një qytetar teksa ky i fundit i kërkoi të shkojë përpara drejtësisë lidhur me dosjen e Dibrës. Në përgjigjen e tij Manja i shkruan qytetarit se ai është gatshëm që prej vitit 2016 të përballet me drejtësinë dhe sa herë të thërritet prej saj.
Manja i shkruan qytetarit gjithashtu se Berisha dhe Basha do të ishte mirë të shkonin para drejtësisë se kanë shumëçka për sqaruar duke qenë se kanë shumë zullume mbi shpinë.
Debati në Facebook:
Qytetari: Shko a je burr para drejtesis Legen
Ulsi Manja:…eh mor Veli sa pa informaciom je. Po une kam qe ne 2016 qe them jam ne dispozicion sa here te me therase drejtesia , tani une pa me kerkuar skam si shkoj. Por meqe e paske merak po ti thuaj nje fjale Saliut & Lulit & Co te shkojne se kane shume gjera per te sqaruar atje per shume e shume zullume qe kane mbi shpine !! Dhe po ste pyeten ato se ty te duan vetem per vota, nga une ke vetem te fala Veli dhe sa me shume shendet.
Debati midis Manjës dhe qytetari ka lindur pasi ministri kishte publikuar në rrjetin e social në Facebook, një pjesë të fjalës së tij në një nga seancat e Kuvendit ku i përgjigje deputetes së Partisë Demokratike Ina Zhupa mbi akuzat e kësaj të fundit lidhur me dosjen e përgjimeve të Dibrës, sipas të cilave u manipuluan zgjedhjet e pjesshme vendore të 2016-s.
Meqenëse përmendi këtë punën e përgjimeve, e kam thënë disa herë në këtë sallë po t’i je deputete rishtare dhe nuk besoj se ke pasur rastin ta dëgjosh deklartën time. Ndryshe nga kryetari juaj, ky që keni tani i radhës që heziton të shkojë përpara autoriteve të drejtësisë dhe të japë shpjegime për shumë gjëra. Unë kam qenë dhe jam i gatshëm të paraqitem para çdo autoriteti të drejtësisë sime në vend por edhe jashtë Shqipërisë sepse raporti im me të vërtetën dhe me ligjin lidhet me formimin tim zonjë. Ti mund t’i përmendësh sa herë duash këtu, ti dhe shumë të tjerë këtu që fshihen pas gishtit por Ulsi Manja si deputet, si prokuror dhe si ministër Drejtësie as ka firmosur dhe as nuk ka për të firmosur kurrë nxjerrje banditësh nga burgjet e sigurisë së lartë në funksion të proceseve elektorale si në 2009 për të bërë rrush e kumbulla votën e lirë dhe demokracinë në këtë vend dhe as ka për të dhënë licenca noterësh prapa të cilëve fshihen interesa okulte dhe që janë sot turpi i shërbimit të noterisë në Shqipëri. Kështu që kur të më drejtosh gishtin herë tjetër interesohu pak se kush është Ulsi Manja”, u shpreh Manja në atë seancë plenare të dhjetorit të 2021-it.