Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, do të rikandidojë këtë vit të qenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. Numri 1 i futbollit në vendin tonë, këtë herë do të ketë një rivalitet shumë më të fortë pasi emrat në listën prej 11 personash, nga ku duhen zgjedhur 7, premtojnë luftë më të ashpër.
Në listë është emri i presidentit të Federatës Spanjolle, Luis Rubiales, i cili kërkon të rizgjidhet në këtë post ashtu si Jesper Moller Kristensen i Federatës Daneze, i cili është një nga njerëzit e besuar të Çeferin. Edhe Andri Pavelko i Ukrainës pritet të marrë mbështetjen për rizgjedhje, duke qenë bashkë me Dukën emri i katërt në garë që kërkon një tjetër mandat.
Sa u përket 7 emrave të tjerë, ata janë të rinj por gjithsesi pritet të krijojnë rivalitet të fortë në këtë garë. Një prej tyre është Lise Klavenes, “zonja e hekurt” e cila drejton federatën norvegjeze, e cila nuk ka ngurruar që të akuzojë publikisht në podiumet e FIFA-s Katarin për shkeljet e të drejtave të njeriut. Bie në sy ndërkohë edhe kandidatura e një ish-futbollisti të njohur të dekadës së kaluar, gjeorgjiani Levan Kobiashvili, i cili ka bërë emër në Bundesligë me skuadrat e Frajburgut dhe Shalkes.
Sa i përket kandidaturës për president të UEFA-s, Aleksander Çeferin ka fituar pa garë dhe do të paraqitet për formalitet në Kongresin e 5 prillit në Lisbonë, pasi nuk ka asnjë rival përballë.
Lista e kandidatëve për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s
Andri Pavelko – Ukrainë
Armand Duka – Shqipëri
Bjorn Vasallo – Maltë
Filip Diallo – Francë
Hugo Kuaderer – Lihtenshtejn
Jesper Moller Kristensen – Danimarkë
Levan Kobiashvili – Gjeorgji
Lise Klavenes – Norvegji
Luis Rubiales – Spanjë
Petr Fushek – Republika Çeke
Rod Petri – Skoci