Vetëvrasje, alkool, drogë, nga këto fenomene karakterizohej jeta e Ainsley Loudoun për 12 vite.
Ainsley ishte vetëm 14 vjeç kur tentoi vetëvrasjen. Ajo mendonte se ishte e destinuar ose të shkonte në burg, ose të vdiste, pasi jeta e saj kontrollohej nga droga dhe alkooli. Sidoqoftë, 28-vjeçarja mori vendimin për ta ndryshuar jetën e saj duke ndjekur një program me 12 hapa.
“Jeta ime ishte një kaos total. Nuk kishte asgjë normale në jetën time. Nuk mund të punoja, isha e dhunshme dhe gjithë kohën nën efektin e lëndëve narkotike.”
“Kisha një boshllëk të tmerrshëm brenda meje. Mendoja se pija ishte zgjidhja ime, por u bë problemi im. Askush nuk donte të rrinte me mua deri në moshën 26 vjeç.”
Ainsley thotë se erdhi momenti që duhet të zgjidhte midis vetëvrasjes, burgut dhe shërimit. Dhe zgjodhi shërimin. Tani është në punë prej dy vitesh dhe tregon se jeta e saj është transformuar.
”Unë ndoqa një program me 12 hapa në një shoqëri njerëzish që më ndihmuan të kaloja çdo ditë, njerëz që më donin dhe nuk kërkonin asgjë në këmbim.”
Rimëkëmbja vazhdon të jetë proces i vazhdueshëm në jetën e saj.
”Tani di si t’i dua njerëzit dhe nuk jam më egoiste, pasi kur pija, mbyllesha në vetvete. Isha e verbër për të gjitha.”
Ndërsa Ainsley tani ka ndryshuar jetën e saj, kërkon që dhe të tjerët që vuajnë si ajo, të ndjekin të njëjtën rrugë.
”Unë thjesht dua që njerëzit të dinë se ka rrugëdalje dhe zgjidhje. Jeta është e mahnitshme. Unë që isha e destinuar të vdisja ose të shkoja në burg, ndryshova dhe të gjithë mund ta bëjnë.”
.