Nga Fatjon Baze
Vendimi i Gjykatës së Tiranës (që mund të pasohet dhe në rrethet e tjera) që rrëzoi falsifikimet dhe manipulimet e Armando Dukës në Shoqatën Rajonale të kryeqytetit, janë një sinjal shprese dhe një vendim i rrallë që është marrë në këto 20 vitet e fundit në shërbim të futbollit shqiptar.
Vendimi nuk është një triumf personal i Erion Veliajt. Është një vendim që ngjall një fije besimi tek një rikthim i mundshëm i një futbolli të ndershëm, i zhvillimit të zgjedhjeve të lira, dhe një goditje për gjithë bandën që komandon sot FSHF-në që edhe ata nuk janë më të paprekshëm.
Ato që ne për vite me rradhë i kemi faktuar dhe thënë, po pohoen e po shtohen akoma dhe më shumë provat edhe nga Z. Veliaj, të cilit deri më tani askush nga kundërshtarët nuk i ka hedhur poshtë qoftë edhe një akuzë që ka bërë për strukturën që përbën FSHF-në, por e akuzojnë si një njeri i veshur me kostum politik që nuk duhet të flasë. Ndërkohë që harrojnë që kreu i FSHF-së është pronar i një partie politike.
Heshtja e drejtësisë për gjithë këto 20- vite ka qenë fatkeqsisht si një “bashkëpuntore” në gjithë krimet e trukimet që kanë ndodhur në futbollin shqiptar, duke e lënë këtë sektor në duart e një indivdi si Armando Duka, që në vend të sillej si një kapiten e lider i pranushëm për gjithë komunitetin e futbollit, është sjellur si një padrino në krye të një organizate kriminale.
Korrupsioni, trukimet, falsifikimet, e manipulimet në futbollin shqiptar, janë një provë e pastër dhe për funksionimin e besimin tek Drejtësisa e re, e cila duhet të shkërmoq futbollin personal e fitimprurës të Armando Dukës, për t’ia lënë vendin lojës së “fair-playt”.
Dhe faktet janë kokëforta, pasi ne sot jemi rasti unik në botë që në përbërje të Kategorisë Superiore kemi një klub të dënuar me 10- vite përjashtim nga Kupat e Europës për shkak të trukimeve. Ky klub ka pasur në përbërje si aksioner në trukimet e kryera vetë Armando Dukën që e financonte këtë ekip përmes “Caffe AmA”.
Duka përveçse konfliktit të interesit që kishte si financues apo si ortak me presidentin e klubit të Skënderbeut, ka qenë dhe një ndër ata persona që i ka bekuar e lejuar trukimet e ndeshjeve të skuadrës ku ishte si aksioner, por edhe si president Federate të Futbollit.
Duka është tallur me ligjet e drejtësinë shqiptare dhe kur te drejtat televizive të kampionatit shqiptar ja jepte kompanisë ku sërish ai është aksioner, kur kryente transaksione bankiare për llogari të një klubi edhe pse i kishte të bllokuara, duke mos shpërndarë ndihmat nga UEFA apo FIFA në drejtim të ekipeve shqiptare etj.
Falsifikimet dhe manipulimet në Shoqatat Rajonale nuk janë asgjë në krahasim me korrupsionet dhe trukimet e lartpërmëndura që janë akoma dhe më të shumta, por vendimi i Gjykatës së Tiranës kundër kupolës që komandon sot FSHF-në, është një sinjal i qartë që topi nuk rrotullohet më vetëm në një fushë.
Në zgjedhjet e këtyre Shoqatave, përveçse rrëzimit të zgjedhjeve që duhen bërë edhe nga ana e Gjykatave nëpër rrethe, ku ka fakte të pakundërshtueshme, duhet që të ketë dhe arrestime.
Është e paparushme që drejtësia të fal njerëz që falsifikojnë firma kryetarësh bashkish si rasti i Shijakut, të lejojë zgjedhje si Shoqata e Lezhës që nuk figuron e rregjistruar në Gjykatë, ndërkohë që delegatë janë emëruar pjestarë dhe familjarë të vetëm të një klubi.
Është e turpshme që zgjedhje si në Gjirokastër të zhvillohen në periferi nëpër Motele, pa pasur as kourumin e nevojshëm.
Prokurorët dhe Gjyqtarët e këtij vendi duhet t’i kthejnë Shqipërisë futbollin e ndershëm, për fëmijët e tyre, për ata qindra të rinj të talentuar që kanë ëndërr të bëhen futbollist të mëdhenj e që të mos iu mohohet e drejta nga korrupsioni për shkak të lekëve që duhet të pagujnë për tu thirrur në ekipet kombëtare, për qindra sportdashës që e ndjekin këtë lojë për pasion dhe jo për para.
Armando Duka duhet të jetë i pandehuri i tyre për gjithë zullumet e kryera në dëm të sportit shqiptar, duke e shfrytëzuar atë për interesat dhe përfitimet e tij personale.
Dhe nëse e bëjnë do hyjnë në historinë e këtij vendi edhe më shumë nga seç mund ta mendojnë.