Gjykata e Lartë rrëzoi rekursin e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit që pranoi kërkesën e SPAK për rihapje të hetimeve për dosjen Gërdeci.
Mediu nëpërmjet avokatit të tij pretendoi se vendimi ishte në shkelje të ligjit, të parimit të gjësë së gjykuar. Shkelje u konsiderua sipas mbrojtjes dhe fakti se një gjykatë më e vogël prishi vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ish ministri i Mbrojtjes dorëzoi më 1 nëntor rekursin në Gjykatën e Lartë ku kundërshtonte vendimin e Apelit të GJKKO që i hapi rrugë rihetimit dhe gjykimit të Mediut.
Avokati Ardian Visha, argumenton se vendimi është antikushtetues. Cenon parimin e gjësë së gjykuar, sa kohë një kërkesë për rigjykim është rrëzuar më herët nga Gjykata e Tiranës.
Apeli i GJKKO, më 24 shtator mori vendimin për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes Durda.
13 vite pas tragjedisë, familjeve të viktima iu rikthyer shpresa se mund të marrin drejtësinë e munguar për familjarët e tyre.
Apeli i GJKKO rrëzoi një vendim të mëparshëm të shkallës së parë, duke argumentuar se çështja nuk është gjykuar dhe se heqja e imunitetit të Mediut i hap rrugë procesit për rihetim.
Në shpërthimin e Gërdecit më 15 mars të 2008 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.