Një 13-vjeçare ka denoncuar mësuesen pranë Komisariatit të Policisë numër 4 në Tiranë, tha një burim policor i Gazetasi.al. Vajza, e cila është nxënëse në një shkollë të njohur, u paraqit së bashku me të ëmën dhe kërkoi një agjent për t’u rrëfyer. Së bashku me të, në tavolinë me të miturën me emrin C., u ul edhe një psikologe. Fëmija kujton se dita ishte normale deri në çastin kur pasi mbylli orën e matematikës, po bëhej gati për lëndën e anglishtes.
“Isha në bankë dhe kërkova leje për të shkuar për nevojat e mia personale në banjë, – kujton nxënësja e klasës së shtatë. – Por nuk mund ta thosha me zë të lartë, sepse i dija unë nevojat personale që kisha”. Vajza i thotë policisë se sapo kërkoi leje, mësuesja e anglishtes komentoi: “I dimë ne hallet e kësaj”. “Duke qenë se kisha hall, e ofendova: ‘përse s’më lini të shkoj në tualet, i thashë debile, i di unë hallet e mia’”, ka nxituar vajza të thotë në sy të klasës dhe sipas saj, pikërisht këtu mësuesja i ka kërkuar llogari: “Çfarë the? Me kë e kishe? Thuaje dhe njëherë?”.
Nxënësja i thotë policisë se e mërzitur, ajo ka vijuar ta ofendojë mësuesen që nuk i dha leje. Në këtë pikë, mësuesja e ka kërcënuar dhe bullizuar, sipas saj. “Më urdhëroi të shporresha nga klasa, më tha se do më tërhiqte zvarrë, por unë qëndrova në bankë e ulur dhe duke e parë, i thashë hajde”. Siç kuptohet nga denoncimi i fëmijës, ajo nuk ka lëvizur në asnjë moment dhe këtu ka ndodhur sulmi ndaj saj. Pas bullizimit, fëmija kujton se u sulmua nga mësuesja. “Ajo erdhi tek banka, më kapi për flokësh u përpoq të më tërheqë, kërkoi të dilja jashtë, më shtyu deri tek banka e dytë, duke bërtitur dil jashtë”.