Teksa sot ka nisur aplikimi i testeve të shpejta, drejtoresha e ISHP-së, Albana Fico tregoi se si do të procedohet në këtë fazë, si dhe sqaroi rolin e mjekut të familjes në këtë proces.
Në një lidhje skype për rubrikën ‘Opinion’ në ‘News24’ Fico tha se si fillim janë porositur 100 mijë teste, ndërsa qetësoi popullatën se do të porositen të tjera në vijim.
Po ashtu Fico tha se pavarësisht se rezultati i testit është 100%, ka dhe një përqindje gabimi në mes. Drejtoresha e ISHP-së tha se pas 20 dhjetorit, këto teste do të shpërndahen dhe në spitalet rajonale.
“COVID-19 është një sëmundje që na ka mësuar plot gjera të reja, siç janë dhe testimet. Mos të harrojmë se kur nisi kjo histori, s’kishte bota teste të shpejta. Testet janë të një standardi të një cilësie të lartë, certifikuar nga OBSH. Ajo çka do të bëhet është kjo; nga dita e sotme, deri në datën 20 janë vënë në dispozicion të njësive të kujdesit shëndetësor. Epidemiologët do të vlerësojnë dhe testet e shpejta përveç PRC. Pas datës 20, do të vijohet dhe shpërndarja e testeve dhe në rrethe. Pacientët do të referohen nga mjeku i familjes. Ky rekomandim mban parasysh diferencat; pse teste të shpejta dhe jo PRC. Që nga fillimi i pandemisë është përmirësuar cilësia e testeve.
Testet e shpejta funksionojnë shumë mirë në 5-ditëshin e parë ku ngarkesa virale është më e madhe. Edhe kur kemi simptoma, me kalimin e ditëve, fillon e bie virulenca. Mjekët e familjes pas datës 20, do të referojnë një kategori të caktuar pacientësh që përmbushin ato kushte. Janë pacientë mbi 60 vjeç. Do kemi dhe personat që shërbejnë në komunitete të caktuara, në ambiente të mbyllura, në dhënien e shërbimit ndaj të moshuarve.
Testimi në vetvete nuk është qëllim, por instrument që të lejon që të detektosh. Nuk ka test që nuk ka përqindje gabimi. Ne themi se kemi 4-fishuar testimet. Por po të mendosh se si nisi ISHP me 150 teste në ditë, sot jemi tek 10-fishi. Kjo është falë punës në radhë të parë të skuadrës së ISHP-së. Harxhimi i këtyre 100 mijë testeve është në varësi të testimeve. Por mos të keni merak se do të porositen të tjerë, s’do jemi pa teste. Janë procedurat e tilla.”,-tha Fico./korrieri.al