Can Kariçi 30-vjeç, mik i Ervis Martinajt u ekzekutua mbrëmjen e djeshme brenda makinës së tij tip “Golf V” në Kodër Kamëz. Makina e djegur e autorëve u gjet bashkë me një kallashnikov brenda, por atentatorët ende jo. Deri tani janë shoqëruar disa persona të dyshuar, por edhe që mund të jenë dijeni lidhur me rrethanat e ngjarjes, por asnjë i arrestuar.
Por si ndodhi ekzekutimi?
Gazetarja Xhensila Kodra mëson detaje të reja lidhur me ngjarjen, bazuar te informacionet nga grupi hetimor, por jo vetëm. Can Kariçi mbrëmjen e djeshme kafen e fundit e piu në një lokal në Kodër Kamëz, i shoqëruar nga dy shokë të tij dhe një vajzë.
Më pasi u ngrit dhe u drejtua për te vendi që kishte parkuar makinën, “Golf V” me targa gjermane, që ishte disa metra larg lokalit. Atentatorët e kishin nën shënjestër dhe sapo Karici u fut në makinë u qëlllua për vdekje me 4 plumba. Gazetarja e “ABC”-së thotë se Karici, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë nuk kishte udhëtuar jashtë vendit kohët e fundit.
Dëshmitë
Dy shokët e tij dhe mikesha që piu kafen e fundit u morën në pyetje nga grupi hetimor. “ABC” mëson se ata janë shprehur se nuk vërejtën asnjë shenjë tensioni apo të dyshimtë te 30-vjeçari. “Nuk kemi vendosur re diçka të dyshimtë, apo të ketë shfaqur frikë apo tension” mësohet se kanë deklaruar tre miqtë e tij. Dëshmitarët pranë vendit të ngjarjes thanë se panë një makinë të dyshimtë që lëvizi me shpejtësi, por nuk arritën që ta dallonin. “Dëgjova një krismë, por nuk arrita ta shquaj qartë. Nuk mendova se ishte e shtënë arme” tha një dëshmitar.
E kaluara dhe fisheku në “gojë”
Brenda makinës së viktimës policia gjeti një pistoletë “Bereta” me fishek në “gojë”. Kjo tregon se Can Kariçi i trembej një ngjarje të tillë, por nuk ka arritur që të reagojë, pasi u zu në pritë befasisht. 30-vjeçari, që dyshohet se ishte anëtar i një prej grupeve të fuqishme në vend, në shkurt ishte arrestuar nga RENEA në Laç për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje.