Policia e Tiranës ka vënë në pranga nënë e bir, të cilët kanë vjedhur në banesën për të cilën kujdeseshin që ta mirëmbanin shuma të konsiderueshme parash dhe sende të tjera me vlerë.
Sipas policisë, shuma e parave që kanë marrë këtë persona, përfshirë dhe sendet me vlerë, arrin në shifrat 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit policia ka sekuestruar 8 milionë lekë të reja si dhe tre makina, dy prej të cilave dyshohet t’i kenë blerë me lekët e vjedhura në banesë. Nëna Rozeta Dobi dhe djali i saj Havier Dobi tani do të përballen me drejtësinë, ndërsa akuzohen për vjedhje.
Njoftimi i policisë:
Operacioni u zhvillua nga Komisariati i Policisë Nr. 2, si rezultat i një hetimi me metoda speciale proaktive. Vodhën në një banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, vihen në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese dhe djali i saj.
Sekuestrohen mbi 8 milionë lekë të rinj të dyshuar të vjedhur në këtë banesë, sende me vlerë, 3 automjete, 2 prej tyre të blera me paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së këtij krimi.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, si rezultat i provave të siguruara falë një pune të mirëfilltë hetimore, trejavore, të realizuar me metoda speciale hetimi, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Inside”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi i shtetasve:
– R. D., 49 vjeçe dhe H. D., 23 vjeç (nënë e bir), të dy banues në Tiranë.
Nga provat e siguruara në kuadër të këtij operacioni, rezultoi se gjatë periudhës që shtetasja R. D. ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e një banese në rrugën e Kosovarëve, kjo shtetase, në bashkëpunim me shtetasin H. D. (djali i saj), ka vjedhur në këtë banesë, shuma të konsiderueshme parash dhe sende me vlerë, të cilat arrijnë në vlerë totale, rreth 120 mijë euro.
Gjatë kontrollit të banesës së shtetasve të arrestuar, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 58 150 euro, 7000 dollarë, 368 000 lekë të rinj, sende me vlerë (aksesorë floriri), 3 automjete, 2 prej tyre të blera nga paratë e vjedhura, si dhe veshje të përdorura gjatë kryerjes së kësaj veprimtarie. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.