Dëshmia e Izet Haxhisë për natën e atentatit ndaj Azem Hajdarit

Gjykata e Tiranës ka shpallur fajtor Izet Haxhinë për vrasjen e Azem Hajdarit. Trupa gjykuese e ka dënuar atë me 21 vite burg duke e gjetur fajtor për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.

Haxhia iu dorëzua katër vite më parë drejtësisë shqiptare duke qëndruar deri më tani në paraburgim në pritje rë rigjykimit. Kjo periudhë, sipas vendimit, do të llogaritet në periudhën e vuajtjes së dënimit.

Izet Haxhia zbriti më datë 8 maj 2018 në aeroportin e Rinasit pasi ishte dorëzuar te autoritetet turke me qëllim ekstradimin në Shqipëri. Pak ditë më pas ai zgjodhi në Shqipëri si fillim avokatin Fran Dashi, por gjatë 4 viteve ndërroi disa herë avokatë.

Arratia

Izet Haxhia u arrestua në vitin 2006 në Turqi. Drejtësia turke nuk ishte shprehur ende për ekstradimin e tij, ndonëse pala shqiptare kishte bërë kerkesa të vazhdueshme në kohën kur në pushtet ishte Sali Berisha.

Për 12 vjet me radhë gjykata turke kishte urdhëruar thjesht që ai të mos largohej jashtë vendit, ndërsa në shkurt të këtij viti befas u mor vendimi që ai të ekstradohet.

Izet Haxhia ishte dënuar nga gjykata shqiptare me 25 vite burg në mungesë për vrasjen e Azem Hajdarit, akuzë të cilën ai nuk e ka pranuar kurrë.

Pas ardhjes së tij në Shqipëri, ai kërkoi rigjykim dhe rihapjen e dosjes “Hajdari”. Pas rishikimit, gjykata e dënoi atë jo më me 25 vite, por me 21 vite burg.

Vitet si truprojë

Izet Haxhia ka qenë truproja i parë Sali Berishës kur ai u zgjodh President në vitin 1992.

I ardhur nga Tropoja për të studiuar mjekësi në fillim të viteve ‘90, Haxhia, pjesëtar i një familje të madhe, simpatizoi bashkëpatriotin e tij pedagog dhe mjek i njohur, Sali Berisha duke pranuar ta mbronte 24 orë në ditë.

Lë studimet në mes dhe i shërben si truprojë Sali Berishës pa u ndarë për mbi 8 vjet, që nga viti 1990 deri në vitin 1998.

Izet Haxhia nuk ishte thjesht një oficer i Gardës në ato vite, por një mekanizëm force politike që ka vepruar ndaj shumë personazheve që kanë kritikuar apo sulmuar Sali Berishën, përfshirë dhe Edi Ramën, kur ky i fundit ishte thjesht pedagog.

Izet Haxhia i shërben Berishës edhe në vitin e vështirë 1997, por papritur marrëdhënia plasaritet. Ishte koha, kur vëllezërit e Izetit po punonin me Haklajt në policinë e Tropojës dhe po bashkëpunonin me strukturat e UÇK-së që bazën kryesore e kishte në Malësinë e Gjakovës, nga ku furnizoheshin struktura e Zonës Operative të Dukagjinit që komandohej nga Ramush Haradinaj.

Izeti u riafrua në PD ditën e nesërme pas vrasjes së Azem Hajdarit, më 13 dhe 14 shtator, ku drejtoi turmat kundër Kryeministrisë dhe Radio Televizionit Shqiptar.

Sali Berisha, në deklaratën e parë publike akuzoi Jaho Salihin si pjesëmarrës në atentatin ndaj Azem Hajdarit. Por nga ana tjetër, Berisha atë kohë si lider i opozitës, nuk pranoi që të jepte dëshminë e tij në Prokurori për çështjen.

Me ndërhyrjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, kreu i PD-së pranoi që ta depozitonte dëshminë pranë një prokuroreje norvegjeze që u soll për të hetuar vrasjen e Azem Hadarit.

Berisha përmend në këtë dëshmi edhe Izet Haxhinë si pjesëmarrës në vrasjen e deputetit të PD-së. Ky i fundit pas asaj dëshmie arratiset nga Shqipëria dhe përfundon në Turqi.

Në vitin 2005, Izet Haxhia u arrestua ne Turqi. Për 9 vite nuk u shfaq, derisa u gjet nga një ekip i DITA dhe dha disa intervista që tronditën opinionin publik. Ai u bë aktiv në media dhe rrjetet sociale, ku nuk ka reshtur së akuzuari ish-shefin e tij Sali Berisha si të përfshirë në vrasjen e Azem Hajdarit.

Pas kësaj u vetëdorëzua dhe kërkoi që të ekstradohej në Shqipëri me kusht rigjykimin e vrasjes së Hajdarit. Çështja u rihap, por dënimi mbeti në fuqi.

Më poshtë një pjesë nga intervistat e Haxhisë në “Dita”, mbi natën e vrasjes së Hajdarit:

Kush e vrau Azem Hajdarin?

Izet Haxhia: Fatmir Haklaj

Ka qëlluar dikush tjetër kundrejt tij?

Jo!

Pse ishte atë ditë aty Fatmir Haklaj?

Jo. Nuk kam qënë atë ditë aty (në seli). Po ta tregoj komplet historinë. Unë jam gjendur rastësisht në atë ngjarje. Në datën 11 shtator, ka ardhur vëllai im Ismeti. Më tha që ka kërkuar të të takojë Fatmir Haklaj. Shkova tek hoteli ku po qëndronte, në Linzë.

Aty gjeta Fatmir Haklajn, Jaho Saliu, Idajet Gjeci, ka qënë edhe një polic nga Tropoja, Elez Haklaj, Halil Haklaj. Të thirra tha të të falenderoj që më ke pa vllaun gjatë kohës kur ishte në burg.

Kena ardh, – tha Fatmiri të takoj dikë se dua të futem sërish në polici, se në atë kohë kish dhënë dorëheqjen pasi vrau dikë në Komisariat dhe donte të gjente një mënyrë për t’u rikthyer. Në atë kohë ka ardh një telefon, dhe më tha që ishin me nxitim për të takuar një njeri, më duket se Arben Imamin.

Nuk biseduat asgjë për Azem Hajdarin në atë tavolinë?

Fatmiri tha se donte të ta­konte 2 persona nga PD. Myftar Lumneshi për një problem që dua ta saktësoj, -tha ai dhe do takonte edhe një person tjetër Dem Dollapin për problemin e një kasete. Bëhet fjalë për një kasetë ku është regjistru Berisha, është kaseta e -97-s ku është regjistru Berisha në Tropojë ku thotë: “Ma sillni ose gjallë ose të vdekur” atë Shkëlqim Haklajn. Atë e ka regjistru një njeri i afërt i Berishës sepse unë nuk kam qënë në atë miting. Ky (Dem Dollapi) ju kish thënë që do j’ua jepte Haklajve.

Çfarë u bë me këtë kasetë?

Nuk e di se çfarë është bërë. – Mirë më tha ai, (Fatmiri) ne nuk duam të dukemi andej nga PD, por lidhemi. Pata një dyshim në fakt, Fatmiri mu duk i nervozum. Atë natë nuk jemi taku dot….

Author: morevesh