Akademiku Artan Fuga shkruan se Shqipëria ka nevojë të ç’shtetëzohet, pasinë të kundërt nuk ka për të pasur opinion të lirë, ka heshtje, sepse pas cdo fjale vjen pasoja. Fuga thekson se depolitizimi i jetës së përditshme është themeli i një demokracie të vërtetë.
Postimi i plotë:
Etatizimi i shoqërisë shqiptare
Shtresa gjithnjë e më të mëdha të popullsisë jetojnë duke qenë të varura krejtësisht nga buxhete publike, ndikohen thelbësisht nga politika qeveritare, kanë të bëjnë përditë dhe çdo orë me administratën publike, janë të lidhura në fatet e tyre me politikën e ditës, kanë ndruajtje dhe frikë nga ajo se çfarë i pret nga ndryshimi i klimës politike, dhe janë pra edhe shumë vulnerabël ndaj presioneve të zyrave për t’u orientuar politikisht kështu apo ashtu. Ose vetë nuk u bëhet vonë përveç se të ruajnë statukuonë e tyre ndonëse në kushte jo të përshtatshme.
Nuk po numuroj këtu nëpunësit e administratave qendrore apo të atyre që janë të punësuar në bashki. As ushtarakë të uniformave të ndryshme. Të gjithë këta po i shumëzoj me pesë për të llogaritur sa njerëz të familjeve të tyre kanë po këtë status të etatizuar.
Po shtoj këtu mijra mësues, edukatorë të ndryshëm të institucioneve arsimore publike si edhe ata mijra punonjës që marrin rroga në institucione kulturore apo arsimore publike.
Nuk po merrem as me dhjetra deputetë, antarë këshillash bashkiake, antarë bordesh, këta po se po.
Po shtoj këtu edhe pensionistët që shohin në dritë të syrit dhe në gishtat e dorës arkëtaren që u numuron lekët e pensioneve.
Po shtoj edhe të gjithë të papunët si edhe ata që jetojnë me ndihma sociale, që mezi shtyjnë ditët për të marrë ato çika parà për të mbushur barkun me bukë.
Mijra mjekë, infermierë të spitaleve dhe ambulancave publike, punonjës administrate të universiteteve publike dhe pa fund të tillë. Posta, Telekomi, ushtria, garancia e ku e di unë se çfarë tjetër!
Këtu fus edhe ata qindra biznese të vegjel që kanë kontrata shërbimesh me shtetin, qeverinë, ministritë, bashkitë dhe mijra punonjësit e tyre që pronarët sigurisht iu thonë: Ej, kujdes me shtetin, se aty e fitoni koromanen!
Sa mijra punonjës kompanish ndërtimi që jetojnë me punën që bëjnë në firma të cilat kanë nevojë për leje ndërtimi. Kujdes! Na duhet leja e ndërtimit, leja e kolaudimit, e shfrytëzimit, etj! Kijeni mendjen në vend ! – iu thotë pronari!
Mijra biznese që gjithmonë tatimori u gjen gabimin dhe pasi u tregon ligjin e ftohtë, u vendos gjoba nëse duhet, për të treguar se këtu ka rregull, apo jo?
Sa mijra fermerë të vegjël që dikur quhej “fshatarësi” diku kanë nevojë për një shtesë shtëpie, aty për një meremetim, aty të kadastrojnë ndonjë pronë!
Po tenderat? Sa mijra vetë punojnë me tenderat që lidhin fashat e sipërmarrjes, punonjëse, dhe zyrave dhe burokracisë!
Jeta ekonomike e individit sikurse edhe e gjithë jeta e tij sociale e përditshme vërtitet sot rreth administratës të shtetit!
Politizimi i jetës e ka tharë si demokracinë, ashtu edhe lirinë dhe autonominë individuale.
Sa bukur thoshte Tokëvili dikur: Depolitizimi i jetës së përditshme është themeli i një demokracie të vërtetë!
Këtu te ne gjithçka varet nga politika: Edhe një bursë studimi, edhe një e drejtë shkollimi e lartë varet nga vendimet e administratës të shtetit, edhe një licencë, edhe një kontroll vjetor i automjetit, edhe një recetë për farmaci, madje edhe nëse je ose jo i sëmurë me Covid19 e shpall institucioni shtetror.
Ky eshtë etatizimi i sjelljes individuale në jetën e përditshme. Tani pyes, a ka qenë kaq i etatizuar shqiptari njëqind a dyqind vjet më parë? Rrinte majë malit dhe ruante dhitë, keq a mirë, por as kishte të bënte me shtetin!
Shtet liberal kemi, apo kemi ndërtuar në këto tre dekada Leviathanin që imagjinonte Thomas Hobbess? Shtetin kuçedër që gëlltit gjithçka! Kemi ikur nga socilizmi, apo e risollëm përsëri? Cfarë kemi më pak a më shumë sesa Kina?
Kush mund të marri një PPP pa vendosur këshilli që përbëhet nga vartës të qeverisë dhe antarë të partisë politike sunduese?
Edhe numrin e të vdekurve e di vetëm shteti! Edhe se përse kanë vdekur të vdekurit e di vetëm shteti! Edhe sa orë të duhet të shkosh me automjet nga Lapraka në Tiranë e di vetëm pushteti në varësi të rrugëve që bllokon! Edhe të gjesh një vend në varreza përsëri ke punë me pushtetin!
Edhe për lejen e lindjes!
Kush ka shansin në televizionet private të mos shohë fytyrat e shtetit njëqind herë në ditë? Ku ka lajme pa politikën të futur deri në palcë?
Kjo është reforma e thellë që pret shoqëria shqiptare, jo hedhje ujë trëndafili mbi tokë të zhuritur: Depolitizim i fateve individuale!
Që shanset e njeriut në jetë të mos përcaktohen me dekret nëpunësish! Që shteti të mos e gllabërojë qytetarin! Perndryshe nuk ka opinion të lirë, ka heshtje, sepse pas cdo fjale vjen pasoja!
Shoqëria ka nevojë të çshtetëzohet!