Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, reagon pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama për krizën energjetike, ku tha se vendi po përballet me një situatë të vështirë, e cila pritet të përkeqësohet nga lufta në Ukrainë.
Në një postim në “Facebook”, Kryemadhi i drejtohet Ramës, duke i thënë që “të paktën mbyll gojën e na kurse të vjellat”, pasi sipas kryetares së LSI, “Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e karburanteve, energjisë elektrike, taksat e larta, janë të ndikuara vetëm prej vendimmarrjeve të Edi Ramës në krye të qeverisë”.
Reagimi i Kryemadhit:
Me e pakta mbyll gojën dhe na kurse të vjellat
Lufta nuk është gjendje psiqike, por shpallet sipas parashikimeve ligjore.
Shqipëria nuk ka shpallur ligjërisht gjendjen e luftës dhe çmimet e karburanteve, energjisë elektrike, taksat e larta, janë të ndikuara vetëm prej vendimmarrjeve të Edi Ramës në krye të qeverisë.
Qytetarët në Maqedoninë e Veriut, vend i cili nuk prodhon asnjë fuçi naftë, e marrin naftën më lirë dhe cilësisht më të mirë se qytetarët tanë.
Nafta që marrin qytetarët e Kosovës importohet në Durrës, transportohet deri atje dhe në pompa është më e lirë se nafta që marrin qytetarët tanë.
Kaq duhet të mjaftojë për të kuptuar cili është ndikues për shtrenjtimin aktual të karburanteve, produkte jetike që ndikojnë ekonominë e çdo familje dhe biznesi në vend.
Ndryshe nga vendet e tjera të Evropës që vuajnë për burime të prodhimit të energjisë, Shqipëria është e pasur në nëntokën e saj me naftë, e bekuar me burime hidrike për prodhim energjie, me diell përgjatë gjithë vitit. Përmes një qeverisje të kujdesshme në menaxhimin e tyre, shqiptarët energjinë elektrike, naftën dhe nënproduktet e saj do duhet t’i merrnin gjithmonë me kosto shumë herë më të përballueshme.
Mos ja hani gënjeshtrat por kërkojini të mbajë përgjegjësi! Sepse, një njeri që edhe plehrat i shikon si mjet për t’u pasuruar, siç tregoi afera e inceneratorëve, për të cilin presim SPAK të godasë fortë e lartë, në çdo moment të ushtrimit të funksionit njerëzit i konsideron miza dhe xhepin e vet më të rëndësishëm se ekonomia e familjeve shqiptare.