Databaza e pagave në rrjetet sociale, PD: Skandal i përmasave të jashtëzakonshme, Rama të dorëhiqet

Partia Demokratike ka reaguar në lidhje me databazën e të dhënave mbi rrogën dhe të dhënat personale të qindra mijëra persona, që po qarkullon në rrjetet sociale.

Në emër të PD, Enkelejd Alibeaj deklaroi se vendi ndodhet përballë “një skandali të përmasave të jashtëzakonshme. Qeveria e Edi Ramës ka nxjerrë në pazar pagat e mbi 630 mijë qytetarëve, shtetas shqiptarë dhe të huaj që punojnë në Shqipëri”.

Sipas tij, “ Qeveria e Edi Ramës ka dështuar plotësisht të mbrojë të dhënat personale dhe sensitive për pagat, numrin personal të identifikimit, vendin e punës të mbi 630 mijë qytetarëve. Partia Demokratike beson se publikimi i të dhënave për pagat e mbi 630 mijë qytetarëve është pjesë e të njëjtës skemë patronazhimit të përdorur nga Partia Socialiste për blerjen e zgjedhjeve” .

Ai shtoi se “lista e publikuar sot, që i përket pagave të marra të mbi 630 mijë qytetarëve në janar 2021, pak javë para zgjedhjeve, është pjesë e strategjisë së partisë-shtet për përdorimin e informacioneve sensitive për qëllime elektorale” , duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.

 

Author: morevesh