Si krushk i parë, hoqi vallen në dasmën e nipit të tij. Papritmash ndjeu një shtrëngim në gjoks. Për një çast u ul në karrige, dhe aty mbylli sytë përgjithmonë. Ngjarja e trishtë ndodhi në një dasëm në Tiranë ku Zenel Ahmeti, rreth 65 vjeç me origjinë nga Grabocka e zonës së Vakëfeve në Korçë u shua papritur gjatë gëzimit familjar.
Miku i tij Petrit Zeneli i ka kushtuar një shkrim homazh:
E rrallë dhe e papritur ikja jote në qiell, natën që kaloi, grabockalliu ynë i mirë, Zenel Ahmeti! Ti krushku i parë në dasmën e bukur korçare, ku shkove të merrje nusen e nipit tënd, kërceve gjith gas atë valle zemre, me kostumin plot hijeshi dhe kapelen bellush mbi vetull, por….oh.. ajo valle, vallja e fundit, vallja e.. sa lezet të pati, u ktheve me krahë në karrike, buzëqeshe me sytë nga çifti ëngjëllor, nga salla vezulluese….dhe…fluturove në parajsë..!
Vdekje më e ëmbël dhe më e bukur s’ish parë e dëgjuar ndonjëherë…, por hidhërimi, lotët e dhimbja për ty…deri në palcë, vrer..! Sot duhet të ishe në krye të tavolinës, në dasmën e nipit në Tiranë, Zenel, Oh sa shumë i hidhërove dasmorët, që as vetë se dinë, si i çuan këmbët në të heshturën përjetësisht vorrezë!
Tashmë do vemi në Grabockë pa ty, bashkëfshatari ynë i mirë, ku thure ëndërrën e bukur të kaloje atje pushimet, larg vapës së Tiranës, çdo verë! Do na mungojë aty zëri yt, humori yt, kënga jote, vallja jote..! Vallja..?! Oh..jooo, se dinim që paska dhe valle vdekjeje..! Ngushëllime familjes, vëllezërve, motrës e të afërmëve! Lamtumirë i shtrenjti ynë, Zenel! (Ne mes, me kemishe te bardhe) ka shkruar Petrit Zeneli.