Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka mohuar takimin me kreun e PD Lulzim Basha. Balla në një komunikim me gazetarët mohoi deklaratat e Berishës për darkën sekrete dhe tha se gjithçka është shpifje.
“E para unë dua të sqaroj asnjëherë në jetën time nuk kam qenë në një darkë me zotin Basha. Ajo që është thënë nga Sali Berisha është një rishfaqje e 30 viteve të Sali Berishës.
Është e pakuptimtë që për një person ‘non grata’, vazhdon e merr vëmendje publike, Unë mendoj se SHBA shpalljen ‘non grata’ e kanë bërë me fakte dhe si një nevojë për të çliruar PD-në dhe Shqipërinë nga negativiteti i Berishës në këto 30 vite”, u shpreh Balla.
Ai tha se me Lulzim Bashës është takuar vetëm në gjykatë pasi e ka paditur për shpifje dhe pret ta takojë sërish kreun e PD në Apel.
Më tej Balla ka folur dhe për Komisionin e Reformës Zgjedhore ku tha se me opozitën janë dakordësuar për përbërjen, anëtarët dhe objektin në tërësi.
“Komunikimi i me kryetarin e Grupit Parlament të opozitës është shumë institucional, secila nga palët mbron interesin që përfaqëson. Komunikimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ka vijuar dhe në këtë sesion do të ngrihet. Është dakordësuar përbërja, anëtaret dhe objekti”, shtoi më tej kreu u Grupit Parlamentar i PD.