Më poshtë mund të lexohet çlirimi i Shqipërisë, parë nga dy këndvështrime nga dy dëshmitarë okularë: At Zef Pllumi dhe historiani Kristo Frashëri.
I pari sodit nga dritaret e Kuvendit të Françeskanëve, tjetri është partizan i thjeshtë. I pari bën një përshkrim përbuzës, i dyti futet triumfator në qytet. Njëri humbës e tjetri fitimtar – siç do thoshte kryeministri Rama.
Tabloja e partizanit është krejt e kundërt me atë të priftit françeskan. Por që të dy pranojnë se “29 Nandori”, 29 Nëntori është ditë e çlirimit të vendit.
Zef Pllumi shkruan për ditën e çlirimit të Shkodrës në librin e tij “Rrno vetëm për me tregue” cituar nga DITA:
“28 Nandori 1944 qe nji ditë e ftohtë, e zymtë… Mbas atyne bumbullimave që shpallën largimin përfundimtar të gjermanëve, nuk fjeti mà kurrkush n’atë natë të gjatë. Në Kuvendin Françeskan, ku jetojshem, zotnonte parandjenja se me atë çast se Oksidenti po largohej prej nesh me një hap shumshekullor…”(f-18) Më 29 Nandor gdhini ditë e zymtë dhe e ftohtë, në orën 10.30–11 nëpër rrugët kryesore të qytetit hyni brigada partizane e prime prej Major Gjin Markut… Ushtrija partizane e veshun me gjithnduer uniformash të huaja, paraqitej si një ushtri e parregullt, leckamane, me opinga dhe e untë. Shka bante mà shumë përshtypje ishin partizanet. Çfarë nanash mund ishin ato femna me pushkë në krah? Populli i strehoi, i ushqeu dhe u mbush me parazit” (fq.19-20)”
Kristo Frashëri në librin e tij “Jeta e një historiani” cituar nga DITA shkruan:
“Nuk mund të harrojmë kurrë ato çaste, kur duke kaluar nëpër rrugët e qytetit, qytetarë burra e gra e fëmijë na përshëndesnin si çlirimtarët. Entuziazmin e tyre e dëshmojnë dy fotografi të shkrepura në çastin e hyrjes së partizanëve në Shkodër, në mëngjesin e 29 Nëntorit 1944.” (F.163)b.m. / dita./gazetadita.al