Në Vlorë u zhvillua sot ceremonia e nngritjes së Flamurit me rastin e 109 vjetorit të Pavarësisë. Por vëmendjen e ka tërhequr sjellja e Kryeministrit Edi Rama, i cili është shfaqur mospërfillës ndaj Kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, me të cilin prej disa muajsh ndodhet në një përplasje politike, edhe pse të dy i përkasin Rilindjes.
Leli ishte një nga pjesëmarrësit në ceremoni, por ka mundur të takohet vetëm me Kryeparlamentaren Lindita Nikolli, e cila gjithashtu shfaqet në krah të Ramës, teksa ecin mbi tapetin e kuq.
Ndërkohë në anën tjetër Presidenti Ilir Meta ka shmangur çdo kontakt me Kryeministrin dhe i vetmi moment kur ai dhe Rama ndodhen në një distancë prej të paktën 2 metra, ishte momenti i ngritjes së Flamurit dhe ekzekutimi i himnit kombëtar.
Më pas, Meta shkëputet duke vijuar ceremoninë, ashtu sikundër edhe Rama, që preferon për disa momente të qëndrojë në krah të Kryeparlamentares, ndërsa Kryebashkiakun Leli e shpërfill totalisht.
Kreu i Qeverisë, pavarësisht se kalon përpara Lelit, duket se ruan ende inatet e pak muajve më parë, kur pas refuzimit nga ana e Kryebashkiakut të ofertës për të kandiduar për deputet më 25 prill, bëri çdo lëvizje që ta largonte nga drejtimi i Bashkisë, por dështoi. Në fund, Rama vendosi të përjashtojë Lelin nga rradhët e socialistëve, ndërsa vijon kritikat ndaj tij, sa herë shfaqet në Vlorë.
Së fundmi, Rama duket se zgjodhi të japë një tjetër mesazh publik, duke shpërfillur Kryebashkiakun edhe në festën e Flamurit./shqiperiaime.com.al