Brenda këtij viti Kina do të ketë gati për përdorim 600 milionë doza vaksinash kundër Covid-19. Shumë shpejt dy prej prodhuesve më të mëdhenj do të publikojnë edhe të dhënat e fazës së tretë të provave klinike. Pekini zyrtar e quajti lajmin një zhvillim madhor për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Kina do të ketë gati për përdorim 600 milionë doza vaksinash kundër Covid-19 brenda këtij viti, një lajm që shkencëtarët e vendit e quajtën zhvillim madhor për të luftuar pandeminë e koronavirusit.
Lajmi për sasinë e vaksinës erdhi nga Wang Junzhi, nga Akademia Kineze e inxhinierisë dhe zëvendës kreu i taskforcës së Këshillit të Shtetit për pandeminë.
“Në lidhje me zhvillimin e vaksinave kundër Covid-19, do të ketë një zhvillim madhor brenda një ose dy javësh. Tani është faza përfundimtare. Sipas planit do të jenë gati për përdorim të menjëhershëm 600 milionë doza vaksinash të çaktivizuara gati për t’i hedhur në treg,” tha Wang.
Dy vaksinat e çaktivizuara janë zhvilluar nga China National Biotec Group (CNBG) dhe nga Sinovac Biotech. Ato janë në fazat e fundit të testimit në Amerikën e Jugut, Lindjen e Mesme dhe në Azi, por prodhuesit nuk kanë publikuar ende të dhënat e nevojshme për rregullatorët.
Të dyja kompanitë pritet t’i publikojnë së shpejti të dhënat e fazës së tretë të provave klinike.
Kjo është sasia më e madhe e vaksinave që vihet menjëherë në dispozicion të autoriteteve për përdorim. Më herët këtë javë, Britania autorizoi përdorimin e vaksinës së Pfizer dhe BioNTech, por për shkak të specifikës së vaksinës që duhet të ruhet në -70 gradë Celsius transporti bëhet i vështirë.
Pas lajmit të autorizimit nga Britania ka filluar të përhapet edhe i ashtuquajturi nacionalizi i vaksinave, për të cilët shkencëtarët i paralajmëruan politikanët që të përmbahen nga bërja e deklaratave të nxitura./ora/