Botërori i klubeve/ FIFA krijon kompeticionin “monstruoz” që mund të dobësojë Champions League

Në Kongresin e ditës së sotme FIFA ka miratuar edhe formatin e Botërorit të Klubeve. Duke nisur që nga 2025 do të luhet në formatin me 32 skuadra dhe me shumë mundësi do të eklipsojë pjesërisht formatin e UEFA-s, Champions League.



Gjithsesi, ky është një eveniment që do të luhet çdo katër vjet dhe ka një formulë të komplikuar për skuadrat pjesëmarrëse.

12 skuadra nga Europa, 6 nga Amerika e Jugut, 4 nga Afrika, Azia dhe Amerika e Jugut, 1 nga Oqeania dhe 1 për vendin organizator.

Në edicionin e parë, nga Europa do të marrin pjesë Chelsea, Real dhe dy skuadrat që do të fitojnë Champions League në dy vitet e mbetura.



Vendet e tjera bosh do të plotësohen në bazë të një klasifikimi që do të mbështetet në rezultatet e arritura nga klubet në 4 vitet e fundit. Nga konfederatat e tjera do të kualifikohen skuadrat që kanë fituar kupat kontinentale kryesisht.

FIFA synon të ruajë edhe një kompeticion të përvitshëm për klubet që do të jetë me formatin aktual të botërorit ku do të marrin pjesë fituesit e konfederatave respektive.



Ndryshimet e FIFA-s kryesisht për Botërorin e Klubeve kanë ngjallur sërish zemërimin e shoqatave në mbrojtje të lojtarëve. Zërat e pakënaqur janë në rritje sepse sipas tyre, kalendari po ngjishet aq shumë sa po bëhet i papërballueshëm për lojtarët. Pushimet janë reduktuar në minimum dhe kjo do të jetë një kosto e madhe për vetë lojtarit dhe spektaklin që ofron futbolli.

Author: morevesh