Asnjë nga palët nuk konfirmoi vendin ku do të zhvillohen bisedimet dhe brenda disa orësh dhanë versione të ndryshme
Një delegacion ukrainas shkoi për në kufirin mes Bjellorusisë dhe Polonisë pasi të enjten në mëngjes nis raundi i dytë i bisedimeve të paqes ruso-ukrainase.
Negociatori rus Vladimir Medinsky tha se në tryezë do të bisedohet edhe për një armëpushim.
“Delegacioni ukrainas është larguar nga Kievi. Ne presim që ata të jenë këtu të enjten në mëngjes”, tha Medinski.
Sipas Medinskit, të dyja palët kanë zgjedhur bashkërisht një vend pranë kufirit polak. Ushtria ruse do të krijojë një “korridor të përshtatshëm sigurie”, tha ai.
Delegacioni ukrainas po shkon në bisedime me Rusinë, të cilat pritet të zhvillohen në Belovezhskaya Pushcha, tha dhe Interfax-Ukraine duke cituar zyrën e Presidentit të Ukrainës.
Sakaq sot në mëngjes u njoftua nga pala ukrainase se negociatat me Federatën Ruse do të zhvillohen, por jo në Belovezhskaya Pushcha në Bjellorusi, por në një vend tjetër. Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesi i delegacionit ukrainas, David Arakhamia.
“Informacionet për bisedimet në Belovezhskaya Pushcha nuk janë të vërteta. Do të ketë vërtet bisedime, por vendi është ndryshe. Të gjitha detajet do të vijnë më vonë,” shkroi ai në Facebook.
Interfax tha të enjten se bisedimet do të zhvillohen në rajonin e Brestit, në Bjellorusi.
Më herët, pjesëmarrja e Ukrainës në raundin tjetër të bisedimeve u konfirmua nga kreu i partisë “Shërbëtori i Popullit” në Verkhovna, Rada David Arahamiya.
Raundi i parë u zhvillua më 28 shkurt. Më pas, sipas këshilltarit të kreut të zyrës së Presidentit të Ukrainës, Mykhailo Podoliak, “palët kanë identifikuar një sërë temash prioritare për të cilat janë përshkruar vendime të caktuara”.