Maks Haxhia, avokati i Saimir Tahiri, ka treguar bisedën me ish-ministrin pak para se të merrej vendimi.
Ai ka treguar se i ka thënë ish-ministrit se lëvizjet e pazakonta e kishin bërë të kuptonte që ishte marrë vendimi dhe i kishte thënë Tahirit që të shkonte në shtëpi e të përgatitej për vendimin.
“I thashë Samir po shoh që këta kanë një organizim të veçantë dhe lëvizje të veçanta dhe persona që s’janë të zakonshëm në vendimmarrje, prandaj ka një gjë në qoftë se do të ikësh, të marrësh masat të ikësh në shtëpi të përgatitesh mund të shkosh. Më tha jam përgatitur me kohë që kur nisa luftën. Unë i thashë ik në shtëpi që të përgatitësh ata të shtëpisë”” ka treguar ai në “Opinion”.
Ndër të tjera ai ka hedhur akuza të forta për mënyrën sesi u mor vendimi për dënimin e klientit të tij.
Ai tha se është i bindur se ka ndodhur diçka në Dhomën e Këshillimit ku u mblodhën gjyqtarët për të marrë vendimin. Sipas tij, ata që ndikuan për këtë vendim i kanë dalë të keqes përpara, pasi e dinë se në Gjykatën e Lartë Tahiri do të shpallet i pafajshëm.
“Ka ndodhur diçka në Dhomën e Këshillimit kur u mblodhën për të marrë vendim. Ne nuk e prisnim atë vendim. Prisnim maksimumin të linin në fuqi vendimin e shkallës së parë. Unë mendoj dhe e kam të provuar se ata që ndikuan, i dolën të keqes përpara, pasi e panë se perspektiva e çështjes në Gjykatën e Lartë do të ishte pafajësia”, tha ai në Opinion.
Avokati tregoi se Gjykata ka bërë edhe një gafë, pasi ka rënduar dënimin e Saimir Tahirit edhe pse Prokuroria nuk e kishte ankimuar vendimin për akuzën “shpërdorim detyre”, akuzë për të cilën u dënua ish-ministri.
“Gafa më e madhe që është bërë në këtë proces është kjo: Kur bën ankim i pandehuri dhe nuk bën ankim pala tjetër që ishte prokurori, Gjykata nuk mund të bëjë rëndim të dënimit. Ankimi në Apel nga ana e Prokurorisë nuk është bërë për shpërdorim detyre”, u shpreh avokati.