Presidenti i SHBA Joe Biden dënoi të martën pushtimin e Ukrainës nga presidenti rus Vladimir Putin – dhe paralajmëroi për masa të mëtejshme për të ndëshkuar Rusinë.
“Sonte, unë u them oligarkëve rusë dhe liderëve të korruptuar që kanë harxhuar miliarda dollarë për këtë regjim të dhunshëm, jepini fund,” tha Biden gjatë fjalimit të tij.
Biden njoftoi ngritjen e një grupi të ri pune nën Departamentin e Drejtësisë të SHBA për të hetuar oligarkët rusë.
“Ne po bashkohemi me aleatët tanë evropianë për të gjetur dhe kapur jahtet e tyre, apartamentet e tyre luksoze dhe avionët e tyre privatë. Ne po vijmë për të shkatërruar përfitimet tuaja të fituara abuzivisht,” tha ai.
SHBA po mbyll gjithashtu hapësirën e saj ajrore për avionët rusë, duke iu bashkuar një numri vendesh që morën masa të ngjashme javën e kaluar, “duke izoluar më tej Rusinë”, tha Biden.
Ai më pas shtoi, duke iu referuar Putinit: “Ai nuk e ka idenë se çfarë po vjen”.
“Putini ka përhapur dhunë dhe kaos. Por ndërsa ai mund të korrë fitime në fushën e betejës – do të paguajë një çmim të lartë, të vazhdueshëm dhe në afat të gjatë,” tha Biden.
Presidenti tha se populli amerikan është gati për detyrën që ka përpara për të mbajtur botën të bashkuar përballë autokracisë.
“Tani është koha, momenti ynë i përgjegjësisë. Testi ynë i vendosmërisë dhe ndërgjegjes, i vetë historisë. Është ky momenti që karakteri ynë formohet. Qëllimi ynë është qartësuar. E ardhmja jonë është farkëtuar,” tha Biden.
“Ne do të kalojmë këtë sprovë, do ta shpëtojmë demokracinë.”
“Gjashtë ditë më parë, Vladimir Putini i Rusisë u përpoq të tundte themelet e botës së lirë, duke menduar se mund ta bënte atë të përkulej në rrugët e tij kërcënuese. Por i ka bërë gabim llogaritë,” tha Biden. “Ai mendoi se mund të futet në Ukrainë dhe bota do të tundet. Përkundrazi, ai u përball me një mur fuqie që nuk e imagjinonte kurrë. Ai u përball me popullin ukrainas.”