Berisha: Yuri Kim përfaqëson mafien e George Soros, bën sekretaren ideologjike të PS

Ish-Kryeministri Sali Berisha ka prezantuar sot në Shkozet, Ardi Mukën, kandidatin e koalicionit “Shtëpia e Lirisë” për Bashkinë e Durrësit.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se qytetarët do të votojnë të lirë për të zgjedhur kandidatët që duan.

“Edhe deklarata sot e “Guvernatores” shprehte këtë tronditje. Nuk i dalin kurrkund hesapet. Nuk i dalin hesapet kurrkund. Mund të bëj shumë koment, por do t’u them vetëm një mesazh që më dërgoi një mik i imi. Më thotë: Sali, e lexova atë deklaratë. Ajo është përkthim nga shqipja në anglisht, dhe në shqip është stili i Edi Ramës. Është ajo që u kam thënë me kohë.

Ajo bën sekretaren ideologjike të Partisë Socialiste. Po, në fakt e gjithë kjo përpjekje është e pashpresë. Si Guvernatore i lejon vetes të ndërhyjë në proces të brendshëm elektoral dhe këtu ajo përfaqëson mafien e George Soros, shkelmon mbi parimet dhe ligjet e vendit të saj të lirë. Por një nga qëllimet e mafies sorosiane është të prishë imazhin e SHBA tek shqiptarët.

Këtu kurrë nuk do ta realizojë. Jo, ne do ecim të vendosur të votojmë të lirë, të zgjedhim të lirë përfaqësuesit tanë, të zgjedhim të lirë brenda partisë ata që duam siç kemi zgjedhur Ardi Mukën, të zgjedhim të lirë qytetarët e parë dhe këshilltarët tanë.

Ne do vazhdojmë me standardet e lirisë. Cilido që mërzitet nga këto standarde i themi rrugë e mbarë se ne nga liria, vlerat e saj nuk tërhiqemi kurrë”, tha ndër të tjera ish-Kryeministri Sali Berisha.

Author: morevesh