Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha duhet të largohet përjetësisht nga Kuvendi.
Balla ftoi Berishën të ndjekë shembullin e Tom Doshit, i cili hoqi dorë nga mandati i deputetit pasi ishte shpallur “non grata” nga SHBA.
“Nuk di që Partia Socialiste e Shqipërisë të ketë ndonjë marrëveshje me partinë që më përmendni. Dhe nuk di që në Kuvend të jetë zoti Doshi. Ta bëjë dhe zoti Berisha ata që bëri zoti Doshi të heqë dorë nga mandati i tij. Të marrë shembullin e zotit Doshi. Bashkëpunim në kuadër të Kuvendit, Z.Doshi nuk është as në sallë të Kuvendit as në konferencën e Kryetarëve. Për fat të mirë në këto 4 muaj ka munguar dhe zoti Berisha dhe mendoj që duhet të mungojë përjetësisht nga Kuvendit”, u shpreh Balla.
Sa i përket pyetjes së kush i intereson Partisë Socialiste ta drejtojë Partinë Demokratike, Balla u shpreh se nuk bën parashikime, por shtoi se është e nevojshme që politikanë që i kanë bërë vendit në këto 30 vite, duhet të largohen.
“Unë nuk dua të parashikoj. Nuk jam Nostradamus dhe nuk besoj në parashikime. Por mendoj që politikanë që i kanë bërë dëm vendit në 30 vite apo dhe nëse kanë pasur ndonjë zhvillim pozitiv, negativiteti i gjërave të tjera ka vendosur në hije të gjitha të mirat që mund të kenë bërë, unë mendoj që ka ardhur koha të largohen. Ne nuk bëjmë pazat për asnjë çështje. Jemi gati të ulemi për bisedime për reformën territoriale, zgjedhore dhe çdo propozim tjetër që mund të vijë”, përfundoi Balla.