Bardhyl Reso, një ndër anëtarët e parë të Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike i ftuar në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga në “Dritare TV” këtë herë ka folur për një pjesë tjetër të jetës së tij, atë të profesionit të tij në kohën e komunizmit.
Bardhyl Reso ka qenë specialist i hidroenergjetikës, asistent i profesor Astrit Radovickës në ndërtimin e një sërë hidrocentralesh në kohën e komunizmit. Reso si specialist i hidroenergjetikës ka folur për hidrocentralin e Kalivaçit dhe për mënyrën se si Berisha sipas tij ia dha një mafiozi si Beccheti, hidrocentralin të cilin nuk e ndërtoi kurrë.
“Me Vjosën u dha hidrocentrali i Kalivaçit, megjithëse ka qenë një skemë e projektuar që nga studimet e Institutit të Projektimeve të Hidrocentraleve që në kohën e komunizmit, por atë sot shkuan ia dhanë një mafiozi si Beccheti që i ka hapur tërë ato probleme Shqipërisë.
Ai është një mafioz i lindur i Napolit, ai edhe bankës gjermane i ka bërë një rreng edhe i ka marrë 200 milionë euro. Për Kalivaçin Beccheti raportonte punë të pabëra. Kalivaçin ia dha qeveria Berisha. Sot Kalivaçi është ende pezull dhe më vjen keq sepse është një aset për Shqipërinë.”, tha për emisionin “Shqip” Bardhyl Reso.