Sali Berisha akuzoi drejtpërdrejtë Lulzim Bashën dhe Edi Ramën se kishin përgatitur së bashku një skenar dhune për t’u aplikuar sot në protestën e thërritur prej tij përpara selisë së Partisë Demokratike.
Ish-kryeministri deklaroi se Lulzim Basha u kthye këtë të shtunë në ministër i Brendshëm i Edi Ramës dhe premtoi se protestat do të vijojnë shumë shpejt madje në të gjithë Shqipërinë.
“Kishte mbushur zyrat me trafikantë dhe që hodhi gaz, gurë, dru. Thirri sipas skenarit narko-policinë duke ndërmarrë një reprezalje një dhunë dhe terror policor të paparë ndonjëherë ndaj demokratëve në protestë paqësore. Sot u faktua thjesht dhe përfundimisht se Lulzim Brava është në një aleancë krimi, gazi, dhune ndaj demokratëve dhe PD me Edi Ramë, pengmarrësin e tij. E vërteta është se protesta madhështore e demokratëve siç ishit dëshmitarë ishte paqësore. Vetëkuptohet kjo protestë kishte detyrë të hapte dyert e blinduara të mbyllura nga Edi Rama me pengun e tij Basha. Në fakt, protesta dyert i hapi.
Nderim të madh, të gjithë protestuesve të cilët me guxim, vendosmëri dhe gjakftohtësi çanë blindet e Ramës dhe Bashës pa gërvishtur asnjë person të vetëm. Por natyrisht sasitë e mëdha të gazit që u përdorën që tejkalonin limitet, ka pasur gazetarë që nga sasitë e gazit pothuajse humbën ndjenjat. Banditët e Ramës u panë duke qëlluar me të gjitha mjetet mbi demonstruesit. Janë të plagosur në spitale 12 demonstrues.
Janë të ndaluar pa asnjë motiv të rinj të kapur në rrugë, për fajin e vetëm se ishin në protestë, rreth 41 protestues. Pavarësisht nga veprimet të një tradhtari të vërtetë që nxori fytyrën e tij para shqiptarëve dhe demokratëve, të Bashës me Ramën, ajo që më impresionoi është vendosmëria totale dhe absolute e protestuesve dhe demokratëve për të qëndruar të pamposhtur. Ata sot kanë vetëm një pyetje: Kur do të kthehemi përsëri. I garantoj se Komisioni i Rithemelimit do t’u japë përgjigjen në kohën më të shpejtë. Ne nuk jemi në betejë për një zyrë.
Ne jemi në beteje kundër një përpjekje armiqësore, të hapur për të asgjësuar pluralizmin politik. Ne jemi në një mision të jashtëzakonshëm, jetik, në mbrojtje të pluralizmit. Ky regjim ka arritur deri në atë shkallë sa që cakton dhe opozitën që do. Lulzim Basha zëvendësoi Çuçin e familjes, u bë ministri i Brendshëm i Edi Ramës në qëndrimin ndaj demokratëve.
Ne i qëndrojmë plotësisht dhe me vendosmëri karakterit paqësor të protestës. Atyre që përdorën hunjtë kundër protestuesve paqësor, narko-banditëve me uniformë që përdorën dhunën u them që kanë kryer një krim të shëmtuar sepse kjo opozitë nuk mund të mposhtet dhe nuk mposhtet. Është e vendosur pavarësisht mjeteve që do të përdoren për çmontimin e narkoshtetit. Shqipëria e tërë do të jetë në protestë”, u shpreh Berisha.