Rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit sjell një realitet të ri te demokratët. Ish-Kryeministri Sali Berisha nuk e përjashton një afrim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. I ftuar në “Çim Peka Live”, teksa fliste për planin e bashkimit të PD-së, Berisha tha se nga kjo nismë nuk përjashtohej as vetë Basha.
Ai shtoi më tej se nëse Basha do ta pranonte votën dhe nuk do ta konsideronte kurth, sigurisht që do të ishte i mirëpritur.
“Ne jemi të hapur për bashkimin, statuti i PD nuk ka nenin e përjashtimeve, këtë e aplikon Lulzim Basha. Ujrat janë kthjelluar, ja ku janë rezultatet e 6 marsit, nuk mundet më që të gënjejë deputetët. Ne do të shqyrtojmë punën e deritanishme, dhe do të marrim vendimet e duhura për të zbatuar vendimet e Kuvendit të 11 dhjetorit. Duhet të pranojë votën, nëse ky person e pranon votën dhe nuk e konsideron kurth, është i mirëpritur. Unë nuk kam përjashtuar askënd,”- tha Berisha ndër të tjera.