Nga Lezha ku ndodhej për 31-vjetorin e themelimit të degës së PD-së në këtë qark, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza të rënda ndaj kreut demokrat Lulzim Basha.
Ai tha se Basha qëndron pas kompanive të basteve në Qipro dhe theksoi se ka mbështetje nga Tirana, Beogradi dhe Prishtina. Berisha ripërsëriti qëndrimin e tij për projektin “Ballkani i Hapur”, që është kundër shqiptarëve.
“Ka sot një angazhim total të Beogradit kundër shqiptarëve. Shihni projektin “Ballkani i Hapur”, është nga Alfa te Omega një projekt kundër shqiptarëve. Shihni studiot televizive, përfaqësuesit e Beogradit në Tiranë dhe në Prishtinë se si përfaqësojnë. Dy miqtë e mi më treguan dy javë më parë, se kur ndodhi vrasja në Bllok, Edi Rama vendos ndalimin e basteve. Por të kujt ishin bastet?
Ishin të Lul Bravës. Lul Brava i dërgon të dërguarin e tij special, Dushanin në Prishtinë, i tha hajde me vrap dhe më zgjidh problemin. Absolutisht. Këtë ua ka thënë Edi Rama direkt, dy personave. U thotë se në Qipro, 80 përqind pronar i kompanisë ishte Lulzim Basha me emrin e të shoqes. Pra, e kuptoni ne se ku kemi qenë ne? Se kush na ka drejtuar?”, u shpreh Berisha.