Ky është momenti emocionues, ku një nuse e veshur me të bardha zgjodhi të befasonte nënën e saj, e cila dergjej në shtratin e një spitali në Angli, si pasojë e një kanceri në mushkri.
Nicole Lind, e kishte anuluar dasmën si pasojë e situatës së krijuar nga virusi korona. Por duke parë gjendjen e vështirë shëndetësore të mamasë, ajo vendosi aty për aty që të improvizonte një “dasmë” të vogël pikërisht në spitalin ku ajo po trajtohej.
Nicole përgatiti gjithçka me ndihmën e personelit mjekësor. Të kapur për dore, ajo dhe partneri u gjendën përpara shtratit të mamasë, e cila shpërtheu në lot nga emocionet kur e pa të veshur në atë mënyrë. Për t’i dhënë nuancën e plotë të dasmës, të pranishëm ishin një prift dhe motra e Nicole, Lisa.
Kështu, të gjithë së bashku u bënë dëshmitarë të një dasme “të pazakontë”, por shumë të bukur.
“Kur Nicole u shfaq e veshur me fustan nusërie mendova se ishte një shaka. Nuk mund të mendoja shumë në ato çaste, por di të them që u ndjeva tepër krenare. Nicole është kujdesur shumë për mua dhe ta shikoja të lumtur është një ndjesi e papërshkrueshme”, u shpreh mamaja e Nicole.