Delegacioni i BE në Shqipëri dhe ambasada e SHBA në vendin tonë kanë dalë me një deklaratë të përbashkët ku kërkojnë të miratohet zgjatja e afatit të organeve të vettingut duke vlerësuar rezultatet e Reformës në Drejtësi.
Në deklaratë thuhet se zgjatja e organeve të Vetingut është votë direkt për integrimin sa më parë të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Deklarata e plotë:
Gatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësore, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate.
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike
Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake- ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.