Baton Haxhiu e sheh si pozitiv faktin që në Shqipëri protestohet ndaj Aleksandër Vuçiç.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Haxhiu tha se megjithatë në Serbi për politikën e tij të brendshme, kjo protestë i shërbën Vuçiçit.
“Lajm i mirë që në Shqipëri ka një grupim që mendon ndryshe nga të tjerët. Pavarësisht se është një grupim i vogël. Kjo protestë më shumë i ka bërë mirë Vuçicit në Serbi, për arsye se ai e sheh këtë si një gjë e mirë që i ka ndodh atij. Shikojini protestuesit shqiptarë janë kundër tij dhe ai do ta përdorë këtë si moment. Ajo që nuk më pëlqeu ishte që kishte shumë pak njerëz dhe për shkak se kemi një diskurs politik publik për Vuçicin, që ishte njeri i Milosheviçit etj,” u shpreh Haxhiu.
Sipas Haxhiut, Berisha e përdori protestën për të të treguar forcën ndaj Bashës.
“Nuk është e mirë që në një protestë kundër një gjëje kaq negative për shqiptarët të jenë kaq pak njerëz. Ishte dashur të ketë njerëz nga Kosova, por njerëzit kanë kuptuar që kjo protestë nuk ishte kundër Vuçiçit, por kundër Bashës për të treguar se sa i fortë është Sali Berisha. Ky moment ka vetëm një qëllim , forcën e Berishës karshi Bashës”, tha Haxhiu.