Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka uruar të gjithë shqiptarëve, që viti 2022 të jetë sa më i mbarë. Ai siguroi qytetarët se PD tashmë e çliruar nga çdo hije dhe barrë e të shkuarës është e vendosur t’i prijë aspiratës së shqiptarëve për plotësimin e ëndërrave.
“Urimi im për shqiptarët është që 2022 të jetë një vit që ne nisim kthimin drejt normalitetit. Në një vend normal, i cili t’ju bëjë të mundur shqiptarëve që të realizojnë ëndrrat, shpresat, për veten dhe familjet sipas aftësive, dëshirave, mundësive që kanë me një shtet që i ndihmon dhe nuk i pengon. Natyrisht kjo nuk do arrihet brenda një viti, por 2022 duket si një vit i mbarë për ta nisur këtë punë sëbashku, duket definitivisht si një vit i mbarë për t’u ndarë nga e keqja 31-vjeçare.
Dua t’i siguroj se PD tashmë e çliruar nga çdo hije dhe barrë e të shkuarës është e vendosur dhe e bashkuar që t;i prijë kësaj aspirate të shqiptarëve. Me një rrëfim të thellë dhe historik për gjithçka që kemi bërë gabim këto 3 dekada me një ripërtëritje vizioni të shpirtit por edhe të korpusit tonë politik, sigurisht me një ndërthyrje të kontributit më të mirë ndër dekada të themeluesve dhe qëndrestarëve, por me një thirrje të veçantë ndaj të rinjve dhe të rejave shqiptarë, të cilëve dua t’ju uroj që 2022 t’ju sjellë dhe rikthejë shpresën tek besimi te Shqipëria. Prindërve të tyre dua t’i uroj të rigjejnë besimin për të luftuar në emër të fëmijëve të tyre”, tha Basha.
Ndërsa urimi i tij për kryeministrin Edi Rama ishte ky: “Sa për Ramën në rrafshin personal, pleqëri të mbarë dhe në rrafshin politik, mos i ardhtë kurrë më Shqipërisë një njeri i tillë si ai.”