Pak minuta para nisjes së një takimi të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në Durrës, mbështetës të tij dhe mbështetës të Sali Berishës kanë krijuar një situatë të tensionuar në qendër të qytetit.
Ndërsa mbështetësit e Bashës janë mbledhur para Pallatit të Kulturës, ku do të mbahet takimi në sheshin kryesor, disa dhjetëra persona të tjerë, me pankarta kundër Bashës, u mblodhën po aty. Mes palëve pati edhe shkëmbim fyerjesh, ndërsa efektivë të shumtë të forcave të policisë janë rreshtuar mes tyre për të shmangur përleshjen fizike.
Një ditë më parë, për A2 CNN, kryetari i komanduar i degës së PD-së së Durrësit, Luan Hoti, ka konfirmuar se do të jetë një nga emrat që do kandidojë nën siglën e PD-së, mbështetëse të Bashës, për drejtimin e bashkisë së Durrësit. Ndërkohë që Ardi Muka ka konfirmuar se do të jetë po në siglën e PD-së që mbështetet nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Nga dega e PD-së në Durrës do të ketë disa propozime që do t’i dërgohen kryesisë së PD-së, aty ku do të vendoset edhe emri përfundimtar. Nga ana tjetër, kryesia e Partisë Socialiste në Durrës ka propozuar për kandidate për Bashkinë e qytetit në zgjedhjet e 6 marsit, kryetaren e komanduar aktualisht, Emiriana Sako.